Dervishi rrezikon penalitete nëse Kukësi humb gjyqin me Micin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 11, 2016 | 13:05

Dervishi rrezikon penalitete nëse Kukësi humb gjyqin me Micin

Çështja “Gledi Mici” duket se do të jetë një prej më të diskutuarave te Kukësi, gjatë kësaj vere. Lojtari dhe klubi kanë përfunduar dje zyrtarisht në Federatën Shqiptare të Futbollit, ku sipas të gjitha gjasave, çështja do të kalojë në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve.

gledi mici

Gazeta ka arritur të mësojë se çfarë është diskutuar dje ndërmjet palëve dhe juristëve të FSHF-së. Çështja Dje, juristi i klubit të Kukësit është përballur me përfaqësuesin ligjor të Gledi Micit, të cilët kanë zhvilluar një seancë njohje për çështjen në fjalë. Zyrtarët në Federatë iu kanë kërkuar palëve që ta zgjidhin çështjen për një javë që të arrijnë të gjejnë konsensusin.

Por, kjo duket e pamundur që të arrihet. Në këtë mënyrë, çështja do të shkojë direkt në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve. Burime të sigurta pranë palëve bëjnë të ditur se në përfundim të seancës së njohjes, Mici i ka thënë përfaqësuesit të Kukësit: “Duke qenë se pretendoni se kam edhe dy vite kontratë me këtë skuadër, më jepni 20 mijë euro në dorë dhe të vazhdoj”.

dritan-dervishi2

Por, kjo ofertë nuk është pranuar kurrsesi nga drejtuesit e klubit verilindor. Ndërkohë, presidenti i Kukësit, Safet Gjici ia ka deleguar drejtorit të Përgjithshëm të Klubit, Dritan Dervishit, çështjen në fjalë. Gjithashtu, Dervishi do të merret edhe me çështje të tjera te skuadra verilindore ku një prej tyre është edhe ajo me Moreirën.

Nëse Kukësi nuk del i fituar në këto çështje, atëherë Dervishi do të ketë penalitete, pasi këtë gjë ia imponon dhe kontrata që klubi ka bërë me drejtorin. Tashmë, sapo ka nisur një kalvar i gjatë seancash ndërmjet palëve për çështjen “Mici”. Duket e vështirë që të arrihet konsensusi, dhe në këtë mënyrë, do të ketë përballje mes palëve në DHZK pranë FSHF-së, që është edhe vendi ku shqyrtohet dhe më pas vendoset në lidhje me këto pretendime. Mici thotë se i ka përfunduar kontrata me Kukësin dhe është i lirë, ndërsa klubi pretendon të kundërtën.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"