Dervishi rrëfen Kukësin dhe sqaron çështjen “Mazrekaj”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 5, 2016 | 17:16

Dervishi rrëfen Kukësin dhe sqaron çështjen “Mazrekaj”

Drejtori i Përgjithshëm i Kukësit, Dritan Dervishi, në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” flet për situatën në klub, merkaton verore, çështjen “Mazrekaj”, disiplinën në skuadër, objektivat e klubit verilindor për ndeshjen e parë, por dhe javët në vazhdim.

dritan dervishi

Dervishi zbulon për gazetën se te Kukësi këtë vit do të ndiqet një metodë tjetër, e cila është shumë efikase për ecurinë e futbollistëve, të cilët nuk janë në formë apo nuk japin sa duhet, duke i aktivizuar te Kukësi B. Ngjitja e skuadrës së dytë në Kategorinë e Parë mbetet një objektiv për klubin e Kukësit për këtë sezon.

Gjendja e skuadrës

“Situata te Kukësi është mjaft pozitive. Po punojmë me ritme të larta, të gjithë po bëjnë një punë të madhe përgatitore. Lojtarët ndihen mirë dhe po stërviten me ritme të larta, me qëllimin e vetëm për të qenë në formë për startin e kampionatit. Në klub kemi krijuar harmoni, por dhe disiplina nuk mungon.

Stafi ka mbështetjen time të plotë, por ne të gjithë kemi marrë mbështetjen e plotë të presidentit për të krijuar një vijë të drejtë disiplinore, së cilës do t’i binden dhe do ta zbatojnë të gjithë. Për shembull: Në stërvitje nuk do të vijë më njeri me automjetin e vet, apo të ketë mungesa dhe vonesa në orar.

Futbollistet e Kukesit duke ngritur trofeun ne fushe

Futbollistet e Kukesit duke ngritur trofeun ne fushe

Është vendosur që të gjithë të udhëtojnë drejt terrenit stërvitor me autobusin e vënë në dispozicion nga klubi. Kjo gjë forcon më shumë grupin, marrëdhëniet ndërmjet tyre dhe nxit frymën pozitive, por njëkohësisht lojtarët janë më të kontrollueshëm”, tha Dervishi.

Merkatoja verore

Në lidhje me ndërhyrjet në merkato, drejtori i Kukësit shprehet i kënaqur, por në janar mund të rikuperohet ndonjë defekt.

“Jam i kënaqur nga merkatoja dhe për këtë falënderoj presidentin Gjici, i cili më la dorë të lirë, si drejtor i përgjithshëm dhe sportiv. Ai nuk kurseu asgjë për të kompletuar skuadrën. Besoj se kemi bërë një merkato cilësore, por nëse ndonjë element nuk është në pritshmëritë tona, atëherë ne do ta rikuperojmë në merkaton e janarit.

pejic

Jemi në koherencë të plotë me trajnerin Gjoka, për sa i përket skuadrës, dhe me këtë frymë bashkëpunimi ëndrra e synimi ynë është të dalim kampionë”, vijoi drejtori i verilindorëve.

Objektivat

“Ekipi po punon me vullnet të plotë për të marrë trepikëshin në ndeshjen e parë, edhe pse luajmë në transfertë ndaj Vllaznisë. Objektivat tona për katër ndeshjet e para, ku tre i luajmë jashtë, është që të marrim të paktën 10 pikë. Ne ecim nën moton që çdo ndeshje e kemi si finale dhe hyjmë për fitore.

Synimi ynë është të jemi në vendin e parë ose në të dytin, por nëse jemi të dytët, diferenca me kreun të jetë e vogël, në mënyrë që në ndeshjet direkte të rimarrim kreun. Pres që në bazë të punës së madhe që kemi bërë deri tani, të jemi fitues, nëse ka presion, të jetë për të mirën e skuadrës.

ernest gjoka kukesi

Kukësi si skuadër e madhe ka presion, por ky presion të jetë në favorin tonë, për ta shndërruar në shtysë për të arritur objektivat tona. Nga vetja kërkoj atë frymë fituese që nxitëm te Partizani, por që këtë vit me Kukësin të arrijmë te fitimi i titullit kampion.

Të mbushim stadiumin në Kukës, por dhe jashtë me tifozët tanë të mrekullueshëm, ku të gjithë së bashku me skuadrën të jemi një trup. Në fund të shpërblehet mundi i të gjithëve, sidomos presidentit Gjici, që është investitori”, vijoi Dritan Dervishi.

Rivalët

Sa u përket rivalëve, drejtori Dervishi mendon se këtë vit do të ketë surpriza, pasi shumë skuadra janë forcuar ndjeshëm. “Besoj se janë disa skuadra që do të rivalizojnë sivjet për vendet e para. Kukësi, Skënderbeu, Partizani, por të mos harrojmë edhe Tiranën, e cila ka bërë një skuadër mjaft të mirë, përbëjnë grupin e skuadrave konkurrente.

skenderbeu - kukesi

Gjithashtu, Laçi ka ndërtuar një skuadër mjaft simpatike, me lojtarë të rinj, që mund të bëjnë diferencën, dhe e shikoj si një skuadër në garë për Kupat e Europës. Korabi po ashtu ka marrë bërthamën e Laçit, lojtarë me eksperiencë, të cilët kanë mjaft vite që luajnë bashkë në Superiore”, pohoi ish-drejtori i Partizanit.

Çështja “Mazrekaj”

Dervishi ka sqaruar sërish tentativën për huazimin e Mazrekajt dhe mes të tjerave tha:

“Për çështjen ‘Mazrekaj’ kam folur edhe më parë, ku ne arritëm marrëveshjen me krerët e Partizanit, të cilët i falënderoj pasi u treguan bashkëpunues dhe korrektë. Por ishte vetë lojtari që në minutën e fundit nuk pranoi, pasi ndoshta ka pasur edhe presion nga tifozët.

mentor mazrekaj

Kjo ishte një iniciativë imja, ku dëshiroja të ingranoja Mazrekajn me Kukësin, ku në fakt ishte si një bast që unë doja ta fitoja. Ndonëse ka kohë pa luajtur, dëshiroja që ai t’i bashkohej Kukësit dhe për një vit të jepte maksimumin e ne t’i merrnim më të mirën.

Gjithashtu të fusnim frymën e huazimeve në kampionat, pasi çdo teknik apo njeri i sportit ka këndvështrimin e vet për një lojtar. Për këtë falënderoj presidentin Gjici, i cili nuk refuzoi, madje na mbështet në mendim dhe në aspektin financiar. Ai operacion nuk u krye, pasi në fund lojtari vendosi ndryshe”.

Kukësi B

“Shkëmbime lojtarësh, nga skuadra A te B-ja, do të jenë të shpeshta, pasi synoj të përsëris atë që bëra te Partizani në sezonin e fundit. Lojtarët që nuk ishin në formë, të luanin për ekipin B, të merrnin formën dhe të rikthehen tek ekipi i parë, kushdo qoftë, nga kapiteni e deri te lojtari i 18-të.

Kjo metodë do të ndiqet në mënyrë rigoroze, pasi është efikase për ecurinë e futbollistëve, që nuk janë në formë, apo nuk japin sa duhet. Njëkohësisht, synim tjetër është që Kukësi B të ngjitet sa më shumë. Kush nuk do ta pranojë këtë shkëmbim, penalizimet do të jenë të mëdha, deri në përjashtim.

Do të jemi mjaft të rreptë me lojtarët që do ta kundërshtojnë këtë nismë. Mund të mos u leverdisë për momentin, por do të jetë mjaft efikase për ata vetë, si dhe për dy skuadrat, të parën dhe Kukësin B”, sqaroi Dervishi.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"