Dervishi: FSHF na zhgënjeu, Halili nuk ma mbyll dot gojën me stile mafioze

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 7, 2016 | 15:53

Dervishi: FSHF na zhgënjeu, Halili nuk ma mbyll dot gojën me stile mafioze

Drejtori i përgjithshëm i Partizanit, Dritan Dervishi, ka qenë personi që e ka provuar më shumë peshën e dhunës në përfundim të derbit, ku edhe u gjakos. dervishiPas vendimeve të marra dje nga Komisioni i Disiplinës për ngjarjen, Dervishi, në një intervistë për “Panorama Sport”, ka pohuar se ndihet i zhgënjyer. Sipas tij, Partizani do t’i apelojë vendimet dhe materialet mund t’i dërgojë edhe në UEFA.

Përpos vendimeve të Disiplinës, Dervishi u është kundërpërgjigjur edhe thënieve të presidentit të Tiranës, Refik Halili, duke i kujtuar se nuk e ka ndihmuar, por ka qenë e kundërta. Ai pohoi se kurrë nuk mund t’ia mbyllin gojën për të denoncuar dhe hedh akuza të rënda mbi drejtuesit e Tiranës. Dervishi tha se ka qenë tifoz i Tiranës ku kishte respekt, jo si këto që me dhunë duan të dalin në pah.

Zoti Dervishi, si i komentoni vendimet e Disiplinës për dhunën që ndodhi pas derbit?

Jam shumë i zhgënjyer nga këto vendime, pasi të dënohet Amarildo Dajlani njëlloj me Devi Mukën është si të fshehësh të vërtetën. Me sa duket këta të komisionit nuk i kanë parë filmimet.

Për dhunën ndaj jush nuk ka asnjë dënim të specifikuar?

Dhunën ndaj meje nuk e kanë parë dhe arsyen pse shkova në spital, ka qenë rrëshqitja e këmbës në shkallët e stadiumit. Pra, mua nuk më paska ndodhur asgjë, por kjo nuk ka problem. Besoj te drejtësia, por jam i zhgënjyer nga ana private. Po e mendojmë që t’i dërgojmë material UEFA-s për njohje. Tifozët e Tiranës i kanë dënuar kot.

Jeni i zhgënjyer vetëm për veten apo diçka tjetër?

Jam i zhgënjyer për vendimet në total, pasi Amarildo Dajlani shkoi të mbronte punonjësin tjetër të klubit që po dhunohej. Ndërsa Arbër Laçi, zëdhënësi për mediat i Tiranës, i cili ka hedhur në tokë punonjësin tonë duke e goditur, nuk ka marrë asnjë dënim. Gjithçka është e dokumentuar me filmime, siç është edhe rasti i Rit Halilit, që thotë “pres qafën” etj, etj. Gjithsesi, kam besim te drejtësia.

Cilës drejtësi po i referoheni, sportives apo shkallëve të tjera?

Drejtësia sportive, ndërsa drejtësinë penale nuk e kam provuar. Mbase aty dal unë me faj dhe do të më duhet të paguaj ndonjë gjobë për grushtin që mora dhe pse nuk rashë në tokë.

Do të apelohet ky vendim i Disiplinës nga Partizani?

Patjetër që do ta apelojmë.

Jeni njohur me intervistën e presidentit të Tiranës për dhunën pas derbit, ku mes të tjerash thotë se i vjen keq për atë që ju ka ndodhur, por le t’ju bëhet mësim, pasi e keni atakuar shpesh Tiranën?

Nëse mësim ata konsiderojnë mënyrat mafioze dhe tinëzare duke goditur nga prapa, dua t’u them se nuk ma mbyllin dot gojën. Gojën ma mbyll vetëm Zoti, që ma ka dhënë dhe do të ma marrë. Ata nuk janë të denjë për atë klub që përfaqësojnë. Me Rit Halilin nuk kam asgjë personale, por meqë e paska zgjidhur, i them që tani të më lërë të qetë. Gojën mund të ma kishte mbyllur vetëm po të më kishte eliminuar fizikisht.

Halili ka thënë se ju ka ndihmuar edhe më përpara, në jetën civile…

Rit Halili nuk më ka ndihmuar kurrë në jetë të vet dhe as që e kam njohur më herët. E kam njohur kur i kam marrë djalin e vet për një provë në Itali, që është një djalë i talentuar. Mua më kanë ndihmuar vetëm krahët e mi. Halilin e kam njohur mes dy miqve të përbashkët, ku bën pjesë edhe Indrit Fortuzi, në momentin që i mora djalin, që e ka futbollist bashkë me një lojtar tjetër për t’u provuar te Vareze me synim që të transferoheshin te Verona.

Përpos kësaj, janë shfaqur edhe fotot tuaja si tifoz i Tiranës dhe që ju kanë konsideruar mercenar pas asaj që ndodhi.

Unë nuk e kam mohuar kurrë dhe s’e kam fshehur se kam qenë tifoz i Tiranës. Por ata kanë brenda njerëz që nuk e duan Tiranën dhe bëjnë sikur janë të tillë. Nuk bëhesh tifoz i Tiranës duke sharë ekipet e tjera, drejtuesit apo duke goditur me grushte pas shpine. Dhuna është larg stadiumit. Kam qenë tifoz i Tiranës, por jo nga këta që gjuajnë me grushte nga prapa. Nëse ata kanë dalë të nderuar me këtë rezultat që kanë marrë, që rrahën drejtorin e Partizanit, atëherë edhe unë jam i kënaqur që kanë rrahur drejtorin e Partizanit. Të kënaqen me këtë, se rezultate sportive s’kanë për të pasur kurrë në jetë.

Kujt i referoheni kur thoni nuk do të kenë rezultate sportive?

Kur kam qenë unë tifoz i Tiranës ka pasur rezultate, pasi ka pasur vëllazëri në klub. Ndërsa këta që janë nuk kanë për t’i pasur kurrë ato rezultate. Jam i nderuar që pas ngjarjes më morën në telefon Agustin Kola, Lutfi Nuri e shumë të tjerë nga Tirana, si dhe të gjithë legjendat e Partizanit, nga Nand Ocelli, Safet Berisha e me radhë.

Pra, keni pasur kurajë edhe nga përfaqësues të Tiranës?

Më kanë marrë në telefon të gjithë legjendat e vërteta të Tiranës. Tirana i ka ngjyrat bardheblu, ndërsa Partizani të kuqe. Ne shpalosim të kuqen në stadium, ata të zezën, që këtu qëndron problemi. Thuhet se Skënderbeu ka dhënë 50 milionë premio për Tiranën që t’ju ndalë në derbi.

Cili është mendimi juaj nëse lajmi është i vërtetë?

Nëse ka ndodhur, është një premio shumë e drejtë, pasi nuk është për të shitur ndeshje. Kam kurajë të them se është premio e drejtë.

Po Partizani i ka akorduar premio Tiranës që të ndalte Skënderbeun?

Asnjëherë. Ne nuk japim premio. Partizani nuk jep asnjë lek premio. Jemi ekip i madh dhe nuk japim premio që të ndalim të tjerët. Premiot i marrin ekipet e vogla, me vështirësi financiare dhe me të drejtë e bëjnë. Mbase edhe ata (Tirana) në këtë moment kanë nevojë si ekipet e vogla dhe marrin premio. Partizanit edhe 1 milion euro t’i japësh nuk i merr që të luftojë për të tjerët.

Përgatiti: Ilir Cara

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"