“Deri sot gjithçka e kemi fituar me djersën tonë”, Ujka: Duam finalen e Kupës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 14, 2020 | 22:11

“Deri sot gjithçka e kemi fituar me djersën tonë”, Ujka: Duam finalen e Kupës

Serxhio Ujka është një nga lojtarët që ka spikatur te Bylisi në pjesën e dytë të sezonit. Madje ai është një zbulim në Ballsh dhe ka qenë vetë presidenti Besnik Kapllanaj që e ka afruar në ekip, duke besuar tek aftësitë e mesfushorit nga Lezha. Mesfushori shtatlartë ka luajtur si titullar në pjesën e dytë të sezonit.

Ujka

22-vjeçari kërkonte më shumë hapësira dhe u largua nga Laçi i Superiores një vit më parë dhe iu bashkua Bylisit, aty ku ka fituar më shumë eksperiencë. Sezonin e shkuar me ballshiotët ai ra në sy sidomos me eurogolin që shënoi në finalen e Kategorisë së Parë mes Vllaznisë dhe Bylisit, të luajtur në “Niko Dovana”, me triumfin 1-3 të skuadrës së teknikut Dovedan.

Ndërkohë që ai po luan edhe në Superiore, ndonëse si zëvendësues, por klubi i ka dhënë hapësira si titullar edhe në ndeshjet e Kupës së Shqipërisë, duke qenë se e sheh si një mesfushor me të ardhme të garantuar. Në prag të sfidës së Kupës me Tiranën, gjysmëfinalen e dytë, Ujka ka folur për gazetën.

“E falënderoj trajnerin që edhe në Superiore po më aktivizon, ndonëse konkurrenca në skuadër është e madhe dhe te Bylisi ka shumë lojtarë me kualitete dhe me eksperiencë, që prej tyre mund të perfeksionohem edhe më shumë, duke u bërë një futbollist cilësor. Kam luajtur në ndeshjet e Kupës së Shqipërisë, por edhe në Superiore, e madje edhe si titullar.

Është shumë e vështirë që të zësh vendin në skuadrën tonë. Dhe më shumë e vështirë që ta mbash.  Ka konkurrencë. Jemi thuajse në një moshë dhe besojmë shumë në synimet që ka klubi”, tha në fillim Ujka.

Kupa dhe kampionati – Lezhjani foli edhe për objektivat përfundimtarë të skuadrës ballshiote. “Duam që të shkojmë në finale. E kemi thënë që shpejt që Bylisi synon Kupën e Shqipërisë, sepse ky klub ka shkuar edhe më parë në finale. Kemi ardhur deri këtu me meritë, madje edhe me forcat tona, sepse kemi bërë shumë mirë, brenda, por edhe jashtë fushës. Kemi eliminuar edhe Skënderbeun apo dhe Laçin më parë, kështu që pse të mos e eliminojmë edhe Tiranën”, tha Serxhio Ujka.

E.SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"