“Derbin me Teutën e kthejmë vitin tjetër”, Bizhdili jep lajmin e mirë: Puna për stadiumin e Besës nis në datën…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 1, 2020 | 14:28

“Derbin me Teutën e kthejmë vitin tjetër”, Bizhdili jep lajmin e mirë: Puna për stadiumin e Besës nis në datën…

Nexhat Bizhdili krenohet me Besën. Tri fitoret radhazi kanë konsoliduar ndjeshëm pozitat e kavajasve, e megjithatë vetë presidenti nuk është i befasuar me këtë ecuri. Ai e priste një start të tillë, ndërsa nuk ngurron që të përgëzojë lojtarët. Kaina Nunjesin e quan një “bast” të fituar, ndërsa zbulon edhe një datë për nisjen e punimeve të stadiumit. Këto edhe të tjera ai na i rrëfen në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”…
Bizhdili-2
Ju gëzoi fitorja me Turbinën?
Sigurisht. Kisha besim të plotë te fitorja dhe ashtu ndodhi. Ekipi kontrolloi gjithçka nga fillimi në fund, duke dëshmuar rritje, maturi e siguri. Përgëzoj stafin dhe djemtë për lojën që zhvilluan. Më vjen keq vetëm për tifozët, që nuk mund t’i gëzohen kësaj ecurie.

Besa merr 3 fitore rresht dhe golavarazh për t’u përgëzuar. E prisnit këtë start?
I prisja këto rezultate. Ky besim mbështetej në punën e bërë nga stafi dhe grupi. Një ndeshje mund të humbet për shumë arsye, por kur prodhon lojë, ke besim se çdo gjë arrihet. Që në ndeshjen me Pogradecin, konstatova me kënaqësi arritje dhe vendosmëri tek ekipi. Pashë të çlirohej sulmuesi ynë kryesor Kaina. Këto më bënë të besoj se Besa ime do të merrte 3 fitore rresht.
egnatia (1)
Kundërshtari i radhës është Egnatia. Si e çmoni derbin e vogël me fqinjët?
Përtej respektit për Egnatian, derbi kemi quajtur dhe luajtur vetëm me Teutën. Atë e kemi shijuar për dekada dhe do ta rikthejmë sezonin e ardhshëm. Egnatia vetëm një vit luajti në Superiore dhe s’mund ta quash derbi përballjen me të.

Kaina, a mund të quhet zbulim në sulm?
Përpara se ta bënim pjesë të ekipit, e kemi studiuar mjaft. Në miqësoret që zhvilluam, ai nuk u shpreh si duhet. Kini parasysh që mbi 60% e formacionit janë futbollistë që luajnë për herë të parë te Besa. Me kalimin e ditëve dhe ndeshjeve, konstatoj me kënaqësi se si Kaina, Peqini, Muçaj, Tafili e të tjerë janë harmonizuar në mënyrë perfekte me pjesën tjetër. Ndaj, pres që edhe në përballjet e tjera Kainës të mos i mungojnë golat, dhe jo vetëm atij.

Pra, kjo Besë nuk çalon askund?
Nuk ka grup që është prefekt. Shihni çfarë ndodhi me Vllazninë, Kukësin, Teutën apo ekipe të tjera, ndaj nuk mund të përjashtohet nga kjo dukuri Kategoria e Parë. Çdo ekip ka pikat e tij të forta, por hera-herës shfaq dhe dobësi. Themelore mbetet që ekipi të ketë stabilitet e rritje në lojën e tij, pastaj të tjerat rregullohen. Mos prisni t’jua them publikisht se ku ka nevojë Besa të korrigjohet (qesh).
unnamed (3)
Çfarë po ndodh me stadiumin, pasi ditë më parë pamë që në fushë po kullotnin dele e dhi?
Meqë më dolët tek ajo foto e publikuar dhe e shumëkomentuar, fillimisht dua ta sqaroj: Ju më mirë se kushdo e dini që stadiumi “Besa” ka dalë jashtë funksionit prej më shumë se një viti. Me ato pamje u abuzua shumë, pasi ai tashmë quhet ish-stadiumi “Besa”… Ajo foto thjesht shërbeu si apel për të përshpejtuar ndërtimin e stadiumit të ri. Lidhur me të, ju sqaroj se brenda javës mbyllet studimi i fizibilitetit dhe projekti. Më datën 10 dhjetor mblidhet Këshilli Bashkiak, që do të aprovojë këtë projekt. Nga këtu marrin udhë edhe procedurat e ndërtimit të stadiumit të ri.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"