Derbi si shpëtim, Ze Maria 80 minuta leksion Tiranës: Thyeni Partizanin!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 24, 2018 | 11:40

Derbi si shpëtim, Ze Maria 80 minuta leksion Tiranës: Thyeni Partizanin!

E diel plot andralla për Tiranën dhe lojtarët e saj. Ndonëse skuadra ka marrë pikë në një nga fushat më të vështira si ajo e Skënderbeut, trajneri Hoze Marselo Ferreira nuk ka mbetur i kënaqur. Braziliani dje ka zhvilluar një analizë të gjatë, e cila ka zgjatur rreth 80 minuta, aq sa skuadra është futur në fushën e lojës për t’u stërvitur në orën 18:20 minuta.

ze-maria

Duke u kthyer tek ajo që ka ndodhur mbrëmë, Ze Maria duket se nuk e ka përtypur barazimin, që skuadra mori në Korçë. Ai ka qenë shumë i nevrikosur sidomos me titullarët, për mënyrën se si luajtën në pjesën e dytë, duke kritikuar jo pak futbollistët.

Analiza – Trajneri Ze Maria ka qenë ai, i cili udhëhoqi analizën e djeshme. Në drejtim të skuadrës ka adresuar me dhjetëra kritika për mënyrën se si lojtarët luajtën, sidomos në pjesën e dytë të saj. Gjithsesi, si skuadra dhe stafi teknik kanë diskutuar për atë që ndodhi në Korçë dhe çfarë mund të ishte bërë më mirë.

zE MARIA

Ze Maria ka kërkuar nga boshti i skuadrës të mbajë sa më shumë topin, sepse sipas tij ndeshja në Korçë duhej të fitohej medoemos, por problemi ishte se ekipi u ul shumë poshtë. Palët kanë folur gjatë për gjithçka, madje edhe për gjykimin e sfidës.

Derbi – Një çështje më vete ka qenë edhe derbi me Partizanin. Trajneri brazilian ka prekur këtë temë në analizën e djeshme. Veç kritikave për ndeshjen me Skënderbeun, që Ze Maria mendon se janë humbur dy pikë, trajneri ka folur gjatë edhe për derbin. Sipas brazilianit, skuadra tani duhet të jetë e fokusuar në sfidën e së premtes. “Duhet ta fitojmë atë ndeshje. Tifozët presin një dhuratë e ne duhet ta mundim Partizanin”, mësohet të ketë thënë trajneri i Tiranës në analizë. Bardheblutë kanë një javë shumë të ngjeshur, pasi të martën do të luajnë me Ilirinë në Kupën e Shqipërisë.

Tirana - Partizani

Takimin e parë e kanë fituar me rezultatin 4-1, ndërkohë që ndeshjen e radhës e kanë sa për të kaluar turin, pasi kualifikimi është hipotekuar. Gjithsesi, ndeshja më e nxehtë është ajo mes Partizanit dhe Tiranës ose më saktë derbi. Bardheblutë duhet të fitojnë në këtë takim, sepse nuk fitojnë një takim prej katër vitesh dhe nëse nuk ia dalin të mundin të kuqtë, tifozët do të jenë të zhgënjyer…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"