Derbi plot me 6-ta, pritet lojë “hermetike”/ Ja si mund të rreshtohet Partizani ndaj Dinamos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 27, 2022 | 23:20

Derbi plot me 6-ta, pritet lojë “hermetike”/ Ja si mund të rreshtohet Partizani ndaj Dinamos

Të premten në stadiumin “Elbasan Arena”, duke nisur nga ora 19:45, Partizani sfidon Dinamon. Ndeshjet me blutë janë bërë një rutinë tashmë për “demat”, pasi ajo e së premtes do të jetë e gjashta në këtë sezon.

DINAMO PARTIZANI 1

Katër përballje në kampionat dhe dy në Kupë, ku Partizani kaloi blutë në çerekfinale. Numri 6 duket se është simbol i këtij derbi të fundit, pasi në betejat e luajtura deri më tani janë shënuar gjithsej 6 gola.

Ndeshjet kanë qenë shumë të ngushta, teksa asnjëra prej skuadrave nuk ka shënuar më shumë se një gol për ndeshje. Partizani numëron dy fitore 1-0, ndërsa tre  përballjet e tjera janë mbyllur në barazim. Ekipi i kuq shihet si favorit në këtë përballje të fundi.

Partizani zbarkoi edhe ditën e djeshme në stërvitje, ku si zakonisht në dy javët e fundit ishin të pranishëm të gjithë, pa asnjë mungesë për shkak dëmtimesh.

Ndërkohë që gjendja fizike e skuadrës është në nivel të kënaqshëm, pavarësisht problemeve minimale, që janë të pranishme gjithmonë në një sezon të gjatë, pezullimet për kartonë janë shndërruar në një pengesë në dy muajt e fundit. Valentino Murataj u ndëshkua me karton të verdhë ndaj Vllaznisë dhe do të jetë i pezulluar në ndeshjen e së premtes ndaj Dinamos.

PARTIZANI

Ky është pezullimi i dytë për ish-mesfushorin e Bylisit për këtë shkak kartonësh, pasi u ndëshkua me të kuq në derbin e javës së 22-të ndaj Dinamos. Mungesa e 25- vjeçarit ul numrin e alternativave për Mehmetin, që për hir të së vërtetës nuk ka një stol, që mund të ndryshojë rrjedhën e ndeshjeve.

Mungesa e Muratajt i hap rrugën rikthimit të Kallakut nga minuta e parë, pas mungesave në dy ndeshjet e fundit ndaj Skënderbeut e Vllaznisë, kur sërish sulmi nuk shkëlqeu, pasi nuk shënuan asnjë gol.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"