Derbi ndaj Tomorit, ish-sulmuesi i Lushnjës: Ndeshje e zjarrtë, luhet për kreun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 13, 2020 | 21:48

Derbi ndaj Tomorit, ish-sulmuesi i Lushnjës: Ndeshje e zjarrtë, luhet për kreun

Luhet javën tjetër, e megjithatë Lushnja-Tomori po “nxehet” që tani. Pas dy sezonesh mungesë, rikthehet “derbi”. Pritet që të jetë një duel i luftuar, ndonëse luhet vetëm java e tretë e Kategorisë së Parë. Që të dyja skuadrat kanë objektiva të mëdhenj, ndaj ky 90-minutësh pritet që të jetë shumë përcaktues. Ndoshta jo direkt për renditje, por për moralin. Për ta “skanuar” këtë supersfidë të Grupit B mendon Bardhyl Elezi, një nga simbolet e futbollit verdhejeshil dhe jo vetëm.

bardhyl elezi

Ish-sulmuesi i dalluar i lushnjarëve dhe beratasve, që tashmë punon në sektorin e të rinjve, parashikon një përballje “të zjarrtë”. “Në opinionin tim, pritet një ndeshje shumë e fortë. Është një derbi tradicional, që gjithnjë ka prodhuar emocione. Më vjen keq që do të luhet pa tifozë, si pasojë e situatës së vështirë që po kalojmë. Unë mendoj se Lushnja i ka bërë një nisje pozitive kampionatit. Ekipi e kontrollon lojën, ka qetësi dhe maturi. Më ka pëlqyer që psikologjikisht është i fortë dhe ka arritur të kthejë lojën nga disavantazhi në avantazh. Jo vetëm kaq, por shoh një ekip me dëshirë dhe shpirt gare. Ka disa pika referimi në fushë dhe ajo që është për t’u veçuar është aktivizimi i sulmuesit Skënder Dedej.

Është bukur të kesh brenda në ekip një 17-vjeçar dhe të fitosh”, u shpreh trajneri i U-17 së verdhejeshilëve. Nuk kishte si të mos ndalej te Tomori, ku edhe ka luajtur. Kundërshtari këtë sezon është “i zaptuar” nga lushnjarë dhe kjo mund ta bëjë më të fortë këtë ndeshje. “Për sa i përket Tomorit, ka lojtarë me shumë përvojë në Kategorinë Superiore. 50% e ekipit është me ish-lojtarë të Lushnjës. Rezultati që mori Tomori në ndeshjen e parë ndaj Elbasanit flet qartë për nivelin e kundërshtarit. Parashikoj një përplasje pretendentësh. Për mua do të jetë një sfidë e fortë, për të marrë kreun”, përfundoi për “Panorama Sport” ish-sulmuesi i njohur Bardhyl Elezi.

PRECEDENTËT – Lushnja dhe Tomori kanë plot 19 vjet që nuk ndeshen në Kategorinë Superiore. Asnjë barazim në 5 sfidat e fundit në “Roza Haxhiu”, të gjitha të vlefshme për Kategorinë e Parë. Tri fitore për Lushnjën dhe dy për Tomorin. Barazimi i fundit i përket 22 shtatorit të vitit 2001. Lushnja dhe Tomori barazonin pa gola, në sfidën e tyre të fundit në Kategorinë Superiore, të luajtur në “Roza Haxhiu”.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"