Derbi, merkato dhe strategjia e Tiranës. Osmani tregon për “News 24”: Nuk kanë vlerë statistikat, tifozët njohin vetëm fitoren

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 20, 2021 | 19:43

Derbi, merkato dhe strategjia e Tiranës. Osmani tregon për “News 24”: Nuk kanë vlerë statistikat, tifozët njohin vetëm fitoren

Tirana bëhet gati për derbin. Bardheblutë shkojnë në këtë sfidë si kryesues dhe me petkun e pretendentëve. Por për Tefik Osmanin, ish-futbollist e tashmë drejtor në klubin bardheblu, sfida është gjithmonë e hapur dhe ka vetëm një objektiv për t’u arritur, për të cilin tifozët harrojnë çdo gjë tjetër. 

osmani

Në një rrëfim për “Sport News” në “News 24”, Osmani ka treguar se si po përjetohet derbi i radhës kryeqytetas.

“Është ndjesi e veçantë si futbollist, por përgjegjësia si drejtor është më e madhe. Se nëse si futbollist duhet të paraqitesh mirë individualisht, kurse si drejtor të kapin emocionet që si lojtarët, trajneri, stafi të gjithë duhet të jenë në maksimum e të shijosh një fitore.

Ngacmimet para derbit? Është pak ndryshe se kur kam qenë lojtar, kam patur miq të mirë në ekipin tjetër dhe ngacmoheshim dhe i jepte edhe më shumë bukuri derbit, se ndikoheshin edhe tifozët. Tani ngacmohemi me mesazhe më shumë. Ka patur ngacmime, normale.

Stadiumi? Në këto momente që ne flasim, kemi nxjerrë biletat në shitje me kapacitetin që na lejohet. Jemi në kontakte dhe në ditët në vazhdim kemi një takim e shpresojmë të vendoset që stadiumi të jetë i hapur për këtë ndeshje se vërtet derbi e meriton që njerëzit ta shohin në stadium e jo ta ndjekin nga TV.

Një derbi gjithmonë nuk ka favoritë. Derbi, të paktën në ato që kam luajtur si futbollist e drejtor, derbi fitohet dhe kjo i mbyll të gjitha. Nuk sheh njeri klasifikimin, mungesat, si ka dalë ndeshja më para. Them që derbi fitohet se tifozët nuk duan t’ia dinë, të fitohet ndeshja dhe nuk u intereson asgjë tjetër”, tha ndër të tjera Osmani.

Statistikat – “E kam vënë re që thuhet që kemi 5 ndeshje  pa fitore. Ka patur edhe momente të tjera që ka qenë Partizani, por e thashë më parë që nuk ka krahasim e që një derbi nuk ka lidhje fare nga statistikat”.

Situata me COVID – “Kemi qenë në moment shumë të keq para ndeshjes me Teutën, por kemi patur besim dhe me profesor Gesin kam folur gjatë gjithë kohës dhe na ka dhënë besim se kemi krijuar ekip edhe pse në moshë të rinj. Pavarësisht mungesave, janë gati t’i zëvendësojnë dhe besoj se e tregojnë që janë gati. Problemi kryesor ka qenë puna e COVID në një situatë të vështirë. Në radhë të parë jemi interesuar që lojtarët të jenë në gjendje të mirë. OK e kemi marrë nga lojtarët, ne si klub nuk e kemi diskutuar të aktivizohen apo jo. Kjo na ka ngrohur më shumë. Sa për fjalët e trajnerit të Teutës, mendoj se janë mendimet e dikujt tjetër. E patë që kishim mungesa e kaluam situatë të vështirë, por mbyllja ishte e bukur, ai trepikësh na bën të harrojmë këtë situatë.

Ne vërtetë e nisëm kampionatin edhe pse është shumë i vështirë, me një fitore ndaj Skënderbeut dhe kur pritëm që ekipi të fitonte me këto skuadra që quhen të vogla, për mendimin tim nuk ka të tilla. Arritëm të fitonim me Laçin dhe morali e besimi ishte fitoja ndaj kampionëve. Kjo e ka formuar shumë ekipin me besim e moral të lartë”.

Daja si kundërshtar – “Profesor Iliri është ndër trajnerët shqiptarë më të mirë dhe nuk më pëlqen që në rast se ka dy humbje apo barazime direkt vihet në diskutim. Ai dhe çdo trajner tjetër. Unë nuk besoj  që te ndonjë skuadër ka krizë. Më intereson vetëm ekipi im që të jetë sa më mirë dhe nuk besoj se çfarë ndodh e çfarë ndodhte te skuadrat e tjera”.

Përjetimi i derbit – “Unë kam dy vite që edhe si lojtar e tani drejtor, jam munduar të fusim një frymë tjetër në bashkëpunim me tifozët, se dihet që janë më të zjarrtit. Pa ofenduar të tjerët, e di që ndoshta mërziten, por është e vërtetë. Po futim frymë tjetër që derbin ta shijojmë e zhvillojmë si ndeshja tjetër, nuk duhet të ketë presion të shtuar se ka lojtarë që mund t’i pengojë ky presion. Shyqyr nuk na ka ndodhur kjo në këto dy vite”.

Projektet e Tiranës – “Jemi shumë vetë te Tirana që dua t’i falënderoj dhe nëse do të jesh një klub i madh duhet të bësh një sakrificë të madhe të arrish një nivel të lartë. Ne pak a shumë e kemi arritur edhe pse vjet nuk arritëm objektivin. Por edhe bëmë disa gjëra, edhe luftuam për titull, edhe morëm lojtarë nga akademia, edhe të investojmë siç është akademia, do të jetë inaugurimi i kompleksit së shpejti. Ndër më të mirët me kushtet që ofrojmë. Kjo e bën një klub të madh që tregohet me këto që përmenda”.

Bashkëpunimi me familjen Halili – “Për mua është fat. Me presidentin Halili kam vite që njihem dhe kam afrimitet të mirë. Është fat që bashkëpunoj me Goldin, me pak fjalë dua të them që nëse te Tirana ka diçka të bukur, mbrapa është Goldi. Ai autobusi me atë dizajn është meritë komplet e Goldit dhe kjo na e bën të lehtë të fokusohemi në pjesën e futbollit. Edhe aty Goldi na ndihmon shumë. Për Grentin e dinë të gjithë, më ngacmojnë por unë them që është vëllai im i vogël. Më bëhet qejfi që ka nisur një rrugë të re, është mërzitur se nuk është e lehtë të tërhiqesh nga futbolli, por ndjehem mirë se ka filluar një rrugë të re e që tani të gjithë janë të qetë që ai e di të bëjë më së miri se të tjerët se është shtëpia e tij”.

Ndërtimi i skuadrës – “Në profesion të tillë, kur futesh ka ide e mendime, por kam pasur raste të flas me njerëz që më kanë ndihmuar. Në mendjen time ka qenë gjithmonë që duhet të jetë trajneri ai që vendos për lojtarët dhe ne si klub duhet t’i plotësojmë kërkesat trajnerit. Kemi vuajtur shumë se nuk ishte e lehtë të afronim këta lojtarë, se nuk kapëm objektivin dhe ishte e vështirë të afronim lojtarë që nuk do luanin në Europë. Ka qenë e vështirë për t’i bindur se mendojnë se me ndeshjet në Europë mund të sigurojnë kontrata jashtë. Por falë meritës, jo për t’i bërë qejfin presidentit Halili, ai ka bërë sakrificë të madhe. Nëse ekipet e tjera japin një apo dy rroga brenda dy datave, këtu kanë marrë më shumë para se të firmosin kontratën”.

Ofertat për futbollistët – “Jemi klub i hapur, edhe lojtarët e dinë. Ne na vjen oferta dhe i themi që ka ardhur një ofertë e kësaj kategorie. Diskutojmë, shohim që nuk është e mirë, e duhur, si për klubin e lojtarët dhe bashkëpunimi vazhdon. Erdhi ofertë e mirë për Çelhakën, kam fatin që presidenti është tolerant. Në çdo klub tjetër Çelhaka nuk do të lejohej, Fola me Gesin e ishim të mendimit që nuk mund të marrim lojtarë tani se nuk mund të marrësh lojtarë në provë për pak ditë. Menduam që brenda grupit do të gjenim një Çelhakë tjetër”.

Strategjia me talentet – “Kanë  merita shumë të mëdha njerëzit që punojnë te akademia, edhe pse nuk duken. Na sugjerojnë lojtarë dhe ne për momentin kemi 2-3 lojtarë. Mund ta keni vënë re ose jo por një emër që kemi afruar është Qefalia, Kuka, Gjumsi… Kam qenë me presidentin dhe kemi vendosur që Stafën e Omarin t’i huazojmë se nuk na intereson që një lojtar që ka arritur moshën e pjekurisë të luajë 20 minuta. Duke marrë minuta do i shërbejë skuadrës në vitin e ardhshëm ose në janar”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"