“Derbi” me Egnatian/ Besa luan për rokadën, Mërgjyshi kërkon 3 pikët: Mos e quani finale

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 12, 2020 | 22:47

“Derbi” me Egnatian/ Besa luan për rokadën, Mërgjyshi kërkon 3 pikët: Mos e quani finale

Besa do kreun dhe shansin e ka që ta marrë nesër. Që ta realizojë këtë mision, fillimisht duhet të kalojnë pengesën me emrin “Egnatia”. E megjithatë, vetë Artan Mërgjyshi e merr më shtruar.

Mergjyshi

Trajneri nuk kërkon që ta mbivlerësojë kundërshtarin, por as ta nënvlerësojë. Gjatë një prononcimi të dhënë për “Panorama Sport”, 52-vjeçari e quan ndeshje radhe dhe aspak një finale. “Egnatia është një ekip që ka investuar shumë këtë sezon në merkato dhe mbetet një rival i vështirë për këdo. Ka një staf teknik që na njeh mjaft mirë, sikurse dhe i njohim.

Nuk duhet të harrojmë se me Egnatian do të luajmë plot katër herë gjatë sezonit, që do të thotë se është ende herët ta quajmë ndeshje finale. Me këtë dua të them se për ne, çdo fitore, ndaj çdo kundërshtari vlen po 3 pikë. Kemi shfrytëzuar në maksimumi pushimin, për të ruajtur gjendjen optimale që gëzon grupi. Ekipit do t’i mungojë vetëm Armenis Kukaj, që është i dënuar”, tha fillimisht tiranasi i stolit kavajas. Ky “derb” ka brenda tij elementë të veçantë.

Jo vetëm që drejtohen nga Gugash Magani (i cili deri një sezon më parë ishte te Besa), por mes dy klubeve ka një lidhje shpirtërore. Rrogozhinasit kanë qenë gjithnjë tifozë të verdhezinjve që luanin në elitë, ndërsa të shumtë kanë qenë lojtarët kavajas që kanë kontribuuar te rrogozhinasit. Më i fundit është Gëzim Krasniqi, i cili nesër do të sfidojë të shkuarën.

PLANI – Mërgjyshi flet edhe për objektivin e kësaj sfide. “Përtej vlerësimit real që kam për Egnatian dhe nuk e them këtë për kortezi, ne do të futemi në fushë vetëm për fitore. Nisur nga objektivi që kemi, këtë synim kemi edhe të dielën. Luajmë në shtëpi dhe kjo na nxit edhe më shumë të kërkojmë fitoren. Më vjen keq vetëm për një fakt, që nuk do të jenë të pranishëm tifozët. Do jetë një ndeshje sa e luftuar aq edhe e bukur”, përfundoi trajneri i Besës.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"