“Derbi ka ngarkesë”, Blerim Hasalla: Si ia mbyllëm gojën Apolonisë 17 vjet më parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Maj 28, 2020 | 19:46


“Derbi ka ngarkesë”, Blerim Hasalla: Si ia mbyllëm gojën Apolonisë 17 vjet më parë

Blerim Hasalla, ish-mbrojtësi i njohur lushnjar, flet për derbin e 14 qershorit midis Apolonisë dhe Lushnjës, që sipas tij vendos shumë për fatin e sezonit.

Gazheli dhe Hasalla

Ish-futbollisti i Lushnjës, Skënderbeut, Luftëtarit, Besës dhe Tomorit pohon se të dyja skuadrat myzeqare kanë bërë një kampionat të mirë dhe presin verdiktin pas përplasjeve të fazës së tretë, që fatmirësisht do të luhet.

Blerim, 17 vjet më parë (28 maj 2003) Lushnja luante një derbi “play off”-i me Apoloninë në “Qemal Stafa”. Si e kujtoni atë ndeshje?

Ka qenë një sezon shumë i egër. Superiorja ishte me 14 skuadra dhe do të bëhej me 10. Pra, katër skuadra do të binin nga kategoria dhe Lushnja dhe Apolonia rivalizuan deri në fund, duke e mbyllur kampionatin me pikë të barabarta. Kishim nga një fitore 1-0 për secilën skuadër dhe do të luanim një ndeshje shtesë në “Qemal Stafa”, 4 ditë pas mbylljes së kampionatit.

Megjithatë, Lushnja arriti të fitonte 3-1…

Ajo ndeshje e luajtur në “Qemal Stafa” u drejtua nga gjyqtari italian Rodomonti. Kemi bërë një pjesë të dytë të jashtëzakonshme dhe fituam 3-1. Unë e kujtoj si një ndeshje spektakolare, nën drejtimin e trajnerit Kristaq Mile. Me atë ndeshje ia mbyllëm gojën Apolonisë.

Rivaliteti ka vazhduar edhe këtë sezon, ku dy ekipet myzeqare janë pretendente për Superioren. Si e shihni këtë garë?

Mendoj që Lushnja dhe Apolonia kanë bërë një kampionat shumë të mirë, për t’u vlerësuar me nota pozitive. Bashkë me Pogradecin, janë tri pretendente për dy vende apo një vend e gjysmë. Shoh që ka shumë interes dhe ndeshja është në qendër të vëmendjes, është një ndeshje tradicionale, ndaj besoj që edhe ajo finale e 17 viteve më parë të jetë një shembull frymëzimi për skuadrat sot.

Ndërkohë, renditja nuk është në favor të Lushnjës këtë herë. Sa shanse ka kjo skuadër për elitën?

Faza e tretë fillon me 2 pikë më pak për Lushnjën nga ky kundërshtar tradicional. Për më tepër, ndeshja do të luhet në stadiumin e Fierit. Mendoj që është një derbi me ngarkesë shumë të madhe psikologjike dhe emocionale, sepse edhe pritja ka qenë e gjatë dhe ngarkesa është shtuar. Është një ndeshje me peshë, që lojtari mendon dhe kërkon ta kalojë pozitivisht. Nisur nga pozicioni në renditje dhe nga objektivi, rezultati pozitiv është i domosdoshëm për Lushnjën.

HASALLA

Apolonia dhe Lushnja ndryshojnë jo pak nga njëra-tjetra…

Apolonia është një skuadër me përbërje të re, por që i mungon elementi i përvojës, aq sa i duhet një ekipi pretendent. Lushnja pothuajse të gjithë kontigjentin e ka me lojtarë që kanë shumë eksperiencë në këtë kategori.

Një tregues që lojtari me eksperiencë di të dalë nga situata ishte ndeshja që u luajt fazën e parë në Ballsh apo edhe përmbysja e ndeshjes së fazës së dytë në Lushnjë. Gjithsesi, kemi të bëjmë me një përplasje dhe asnjëherë nuk i dihet se çfarë ndodh. Këto ndeshje duan shumë kujdes dhe pak gabime. Skuadrat kanë dalë në fushë, po përgatiten që të fitojnë ndeshjen.

Një ndeshje pa tifozë. Mund të jetë favor për Lushnjën?

Mungesa e publikut ia ul cilësinë ndeshjes, sepse është publiku ai që ngre adrenalinën në derbi si ky. Të gjithë presin që tifozët t’u rikthehen stadiumeve sa më shpejt që të jetë e mundur, ashtu siç u rikthyen ndeshjet.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com