“Derbi i Veriut” u luajt në qendër të Shqipërisë, ja pikantet e ndeshjes Kukësi-Vllaznia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 5, 2020 | 20:47

“Derbi i Veriut” u luajt në qendër të Shqipërisë, ja pikantet e ndeshjes Kukësi-Vllaznia

Si për ironi të fatit, “derbi i Veriut” u luajt në qendër të Shqipërisë. “Elbasan Arena”, me sa duket, u sjell fat vetëm shkodranëve në përballjet midis tyre, pasi në këtë stadium u kanë marrë 4 pikë kuksianëve. Presidenti Safet Gjici nuk kapërdin dot humbjen dhe largohet i nervozuar, ku si rrallëherë nuk flet për mediat, duke treguar se ishte bërë “tym” pas këtij barazimi që e lë 6 pikë larg Tiranës dhe për më tepër që dje kuksianët festonin 90-vjetorin e krijimit të klubit. Kristal Abazaj dhe Gilman Lika janë ndër më të preferuarit për të bërë foto, ndërsa Jonuz dhe Shehi bisedojnë me njëri-tjetrin para startit të takimit. Këto dhe jo vetëm ishin disa nga pikantet e mbrëmjes së djeshme, të cilat serviren nga “Panorama Sport”. 88331203_2101707663307903_1247655112923414528_o

– Gilman Lika dhe Kristal Abazaj janë të preferuarit e një tifozi, i cili nuk ngurron të bëjë foto me ta, gjatë kohës që skuadrat po hynin në fushë për të bërë nxehmjen.

– Duket se midis dy klubeve ka marrëdhënie shumë të mira, pasi si lojtarët edhe trajnerët qëndronin me njëri-tjetrin. Orges Shehi kur po shkonte te skuadra e tij për t’i parë në nxehmje ndaloi për te Jonuz, ku për disa minuta bisedoi me të. Tekniku i Vllaznisë qëndroi më pas edhe disa minuta me drejtorin e kuksianëve, Nderim Nexhipi.

– Ndryshe nga sa ndodh zakonisht, që në nxehmjen para ndeshjes trajnerët nuk përfshihen shumë, Shehi me Jonuz e panë vetë nga afër, duke treguar ndoshta edhe për rëndësinë e kësaj ndeshjeje.

– Pikërisht më 4 mars të vitit 1930 u themelua klubi i Kukësit, fillimisht me emrin SH.S. Kosova. Ndaj, e djeshmja përkonte me 90-vjetorin e krijimit.

– Erhun Obanor jep një top të gjatë të gabuar për Edis Maliqin, rast të cilin nuk e harron, sepse i kërkon falje shokut të tij: “Maliq…”, thërret mbrojtësi i Kukësit, duke i ngritur dorën për t’i kërkuar falje. 87492663_2101708193307850_1931380968342421504_o

– Kukësi-Vllaznia është derbi i Veriut në Superiore, të paktën vitet e fundit. Si për ironi të fatit, derbi i Veriut zhvillohet në qendër të Shqipërisë, Elbasan. Normalisht, kjo ndikoi edhe në praninë e tifozëve në stadium, ku numri i tyre nuk i kalonte të 200.

– Edhe ndeshja e parë midis Kukësit dhe Vllaznisë është luajtur në “Elbasan Arena”. Atë përballje e fituan shkodranët me shifrat 1 me 2. Edhe mbrëmjen e djeshme ky stadium u solli fat, sepse shkodranët ia dolën të marrin një pikë në këtë transfertë të vështirë.

– Tekniku Mirsad Jonuz nuk u beson syve dhe vendos duart në kokë në rastin e humbur nga Zhunior në minutën e 81-të.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"