Derbi i sezonit 2008-2009, ish-sekretari i Lushnjes: Shoshi u vra te dera, fierakët lobuan kundër nesh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 23, 2020 | 18:43

Derbi i sezonit 2008-2009, ish-sekretari i Lushnjes: Shoshi u vra te dera, fierakët lobuan kundër nesh

Ish-sekretari i klubit të Lushnjës gjatë sezonit 2008-2009, Llazar Dushi, në një reagim për “Panorama Sport” , komenton incidentin “Shoshi” gjatë derbit të nëntorit të vitit 2008. Ai ka një version ndryshe nga ai i fierakëve.
Albpetroli-Llazar-Dushi
“Derbi i Lushnjës me Apoloninë në Kategorinë Superiore, në nëntorin e vitit 2008, i luajtur në stadiumin ‘Roza Haxhiu’, realisht ka pasur shumë atmosferë. Në një situatë shumë sportive patëm mbështetjen e bashkisë dhe komisariatit të Lushnjës për organizimin e derbit. E dija që do të ishte një ndeshje e nxehtë dhe për t’i dalë të keqes përpara kishim marrë masa të jashtëzakonshme. I kemi ndarë tifozëritë në dy pjesë, ku kemi përcaktuar një sektor për tifozërinë fierake, që niste nga e majta e tribunës qendrore deri në sektorin C. Secila tifozëri kishte pjesën e vet. Që nga porta qendrore nëpërmjet shiritave të kuq komandohej hyrja e tifozërisë fierake dhe një tabelë ku shkruhej ‘Për tifozët fierakë’. Nëse mendohet që Shoshi është goditur me gur, në të vërtetë nuk është kështu. Nuk është goditur me gur. Si mund ta godasë me gur Shoshin një tifoz i Apolonisë? Aty nuk kishte asnjë tifoz lushnjar. Në momentin e barazimit, lojtarët e Apolonisë, të kryesuar nga autori i golit, kanë shkuar të festojnë aty ku ishin sistemuar tifozët fierakë dhe bashkë me ta ishte edhe sulmuesi Mlladen Brkiç, që shikonte ndeshjen me tifozët. Ai nuk luante dhe kërkoi ta shikonte ndeshjen me tifozët dhe jo në tribunën VIP.
shoshii
Gjatë festimeve kanë hipur disa futbollistë në rrethimin e brendshëm, janë mbështetur te porta lëvizëse, te porta e emergjencës, që nuk është fikse. Duke tundur portën ata u goditën. Po kështu, edhe tifozët kanë shtyrë rrethimin nga brenda, duke u ngjitur dhe duke u varur. Por Shoshi është goditur nga lëvizja e portës, sepse nuk ka shanse që një tifoz i Fierit të godasë lojtarin e tij. Edhe një tifoz vendës nuk mund të hyjë te tifozët kundërshtarë dhe të godasë me gur. Nuk ka gur. Shoshi shkon të festojë me shokët dhe godet portën, kaq. Shoshi vërtet kishte goditje, kishte qepje, por për arsyen e goditjes me hekurat e portës. Kjo ngjarje u ndoq edhe nga përfaqësuesit e FSHF-së”, tha ish-sekretari Dushi.
lushnjaaaa
DËNIMI – Lushnja mori edhe një dënim nga FSHF-ja për këtë incident, për të cilin Dushi shprehet: “Lojtarët e Apolonisë festuan jashtë fushës, u lanë të gëzonin në pistë, duke shkuar në një portë që quhet porta e emergjencës. Goditja me hekurat e portës nuk ishte e madhe. Gjithçka u ekzagjerua, sepse Shoshi ndeshjen tjetër luajti. Lushnja mori një dënim me dy ndeshje në fushë asnjanëse dhe pas këtij dënimi kur të rikthehej në Lushnjë, do të luhej pa tifozë. Ishte një dënim i padhënë ndonjëherë. Një dënim i dyfishtë. Ky dënim erdhi, sepse klubi i Apolonisë loboi mirë në FSHF për të marrë tri pikët në tavolinë. Dhe për të mos dhënë tri pikët në tavolinë, FSHF-ja vendosi të bëjë këtë dënim të çuditshëm, kur pas dy ndeshjeve në fushë asnjanëse në Peqin me Bylisin dhe në Shijak me Shkumbinin, rikthimin në stadiumin me Elbasanin do ta luanim pa tifozë. Në atë kohë FSHF-ja, duke pasur lobimin e Apolonisë, duke pasur edhe rezultatin në fushë të drejtë të Lushnjës, vendosi të mos u jepte tri pikët fierakëve, por vendosi të dënojë Lushnjën në këtë formë. Ne ishim rivalë me Apoloninë për mbijetesë. Një dënim me dy forma, çudira të komisioneve të FSHFsë”, tha Dushi.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"