“Derbi i rrallë” ndaj Veleçikut, Lika: Vllaznia ime nuk ndalet më…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 6, 2018 | 9:41

“Derbi i rrallë” ndaj Veleçikut, Lika: Vllaznia ime nuk ndalet më…

Vllaznia-Veleçiku për të parën herë do të ndeshen mes tyre në një kampionat. Në këtë takim Vllaznia vjen më e favorizuar për emrin, lojtarët që ka në përbërje, synimet dhe faktin që luan në fushën e vet. Trajneri i skuadrës, Hasan Lika, për këtë sfidë thotë se skuadra e tij duhet të marrë fitoren përballë skuadrës ku një pjesë e mirë e lojtarëve janë shkodranë dhe e kanë ëndërr të luajnë me Vllazninë.

Lika

Ndër të tjera, tekniku shprehet se sulmuesi Xhunjor po tregohet vendimtar me golat e tij, natyrisht i ndihmuar nga i gjithë ekipi. Ndërsa tregon se për skuadrën e tij nuk ka kundërshtarë të lehtë, duke mos nënvlerësuar asnjë ndeshje. Vllaznia deri më tani kryeson me 12 pikë të plota me katër fitore në ndeshjet e luajtura ndërsa, tri pikë kërkon edhe ndaj koplikasve të Veleçikut që në ditët e sotme është kthyer në një “derbi ironik”, pasi këto ekipe kanë luajtur gjithmonë vetëm në Kupë ose në ndeshje miqësore. “Natyrisht që ka një aromë “derbi”. Ka shijen e “derbit”, pasi jemi shumë afër. Kohët kanë ndryshuar dhe do të përballemi edhe me këtë skuadër”, tha ndër të tjera Lika në konferencën e djeshme për shtyp.

Profesor si e vlerësoni takimin ndaj Veleçikut?

Ne do të kërkojmë që në çdo ndeshje të fitojmë dhe të vazhdojmë ecurinë e rezultateve pozitive. Por, natyrisht që do të kërkojmë që të rritemi sërish në lojën tonë, që të jemi më të fortë për çdo kundërshtar.

Ju shqetësojnë dëmtimet e shumta që keni?

Po, është e vërtetë që po na shqetësojnë sërish dëmtimet, por unë do të them se kemi një grup lojtarësh që janë të aftë që të japim maksimumin e tyre. Të gjithë janë lojtarë që mund të luajnë titullarë, ashtu siç ka edhe nga ata që qëndrojnë në stol dhe luajnë në momentin e duhur.

Vllaznia

E shikoni si një “derbi” këtë takim?

Natyrisht që ka një aromë “derbi”. Ka shijen e “derbit”, pasi jemi shumë afër. Kohët kanë ndryshuar dhe do të përballemi edhe me këtë skuadër. Por, të gjithë së bashku do ta kalojmë me sukses edhe këtë ëndërr.

Xhunior është një pikë e fortë për sulmin shkodran ku ka shënuar katër gola në po kaq ndeshje…

Mendoj se sulmuesi (Xhunior) ka për detyrë që të luajë mirë dhe të shënojë. Ose edhe po nuk luajti mirë, të shënojë, sepse skuadra punon për sulmuesin. Megjithatë, nuk është e thënë që sulmuesi të shënojë në çdo takim, pasi ai mund të shërbejë edhe për ekipin. Ai është i aftë që të shënojë dhe këtë e ka provuar, por ai ka shërbyer në këto takime edhe për skuadrën.

E njihni ekipin e Veleçikut, pasi keni zhvilluar edhe një takim miqësor me të?

Ne kemi bërë ndeshje miqësore dhe e kemi parë forcën e Veleçikut. Ka qenë një ndeshje ku ndoshta ne nuk ishim ende të organizuar. Ndërsa të kundërtën do të thosha për ta. E kam parë si një skuadër të fortë dhe të mirë. Po ashtu, edhe paraqitjet në katër javët e para të këtij ekipi janë pozitive. Unë do të kërkoj që të shprehim lojën tonë dhe nëse arrijmë ta bëjmë një gjë të tillë edhe gjërat do të shikojnë siç duhet për ne.

Është një takim i lehtë për ju?

Ne nuk kemi asnjë kundërshtar të lehtë. Të gjithë kundërshtarët për ne do të jenë të fortë dhe të gjithë ekipet do të kërkojnë që të japin maksimumin ndaj nesh. Ndërsa ne do të japim maksimumin si në stërvitje dhe në ndeshje dhe vetëm në këtë mënyrë mund të jemi të suksesshëm.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"