Derbi i Mançesterit që nuk duhet humbur, në fushë zbresin 1 miliard paund

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 30, 2022 | 21:40

Derbi i Mançesterit që nuk duhet humbur, në fushë zbresin 1 miliard paund

Derbi i parë i Mançesterit këtë sezon do të luhet të dielën, por si vijnë Junajtidi dhe Siti në përballjen e 188 mes tyre?

derbi mancester

“Qytetarët” që do t’i presin komshinjtë në “Etihad” kanë 19 ndeshje në Premier Ligë pa humbje. Disfata e fundit e tyre në shtëpi daton në shkurt 3- 2 përballë Totenhemit. Ndërsa forma e Junajtidit me 4 fitore radhazi në kampionat është më pozitivja e tyre që prej prillit të vitit 2021, kur regjistruan 5 fitore radhazi, përfshirë edhe 2-0 në derbin në “Etihad”.

Fakti që të dyja skuadrat janë në formë të mirë nuk duhet të vijë si surprizë. Vetëm 227 milionë paundët e shpenzuara nga Çelsi në merkaton e verës i lanë pas dy ekipet e Mançesterit. Pep Guardiola arriti të transferonte Erling Halandin nga Dortmundi, i cili nëse vazhdon të shënojë me ritmin aktual, mund ta mbyllë sezonin me 59 gola në Premier Ligë. Është e mundur që kostot e të dyja formacioneve titullare që do të zbresin në fushë të dielën të kalojnë 1 miliard paundët.

Që prej tërheqjes së Sër Aleks Fergusonit nga stoli 9 vite më parë, dominimin e qytetit e ka marrë skuadra blu. Por pavarësisht se Junajtid ka fituar vetëm 3 trofe të rëndësishëm ndaj 12 të Sitit gjatë kësaj periudhe dhe e mbyllin kampionatin mesatarisht -17 pikë pas tyre në klasifikim, janë “Djajtë” ekipi që ka shpenzuar më shumë në merkato sesa kampionët në fuqi.

FORMA – Objektivi i skuadrës së Ten Hagut në këtë sezon të parë të holandezit në stol është rikthimi i skuadrës në katër vendet e para. Junajtid do të kërkojë fitoren e katërt në 6 vizitat e fundit të Premier Ligës në “Etihad”. Por forma e Sitit përpara tifozëve të vet që prej barazimit me Liverpulin në prill është fantastike. Skuadra e Guardiolës ka shënuar 3 apo më shumë gola në secilën prej 7 sukseseve të fundit në shtëpi dhe kjo është hera e parë që ata e bëjnë diçka të tillë në historinë e tyre në kampionat. Ndërsa në Premier Ligë Junajtid e ka përsëritur një seri të tillë dy herë, në dhjetor 2009 dhe mars 2010. “Qytetarët” kanë shënuar 14 gola në tri ndeshjet e tyre të para në shtëpi këtë kampionat, më shumë se çdo skuadër tjetër në historinë e kompeticionit, duke përsëritur rekordin e tyre në 2019- ’20, të Junajtidit 2011-’12 dhe Arsenalit 2009-’10. Por asnjë prej këtyre skuadrave nuk u shpall kampione në ato sezone.

haland

SYTË NGA HALAND – Nëse Junajtid do të vazhdojë formën pozitive edhe në derbi, atëherë aftësia e tyre për të menaxhuar Erling Halandin do të jetë vendimtare. Sulmuesi norvegjez ka shënuar 14 gola në 10 ndeshje për Sitin këtë sezon. 22-vjeçari e ka tundur rrjetën në secilën prej 7 ndeshjeve të fundit (12 gola në total). Ai është larguar me topin si suvenir në dy ndeshjet e fundit të Premier Ligës në “Etihad”, pasi shënoi tregolësha ndaj Kristal Palasit dhe Notingem Forestit. Goli i tij në fitoren 3-0 ndaj Uolvesit përpara ndërprerjes së kombëtareve e bëri norvegjezin futbollistin e parë në historinë e Premier Ligës që shënon 11 gola në Premier Ligë në 7 javët e para. Por sigurisht që kërcënimi që vjen nga Siti shkon përtej këmbëve të tij: Kevin de Bryjne ka dhënë më shumë asiste (5) dhe krijuar më shumë raste (25) se çdo lojtar tjetër në Premier Ligë këtë sezon. Ndërsa me Rodrin, Ruben Diazin, Kajl Uokerin dhe Zhoao Kanselon, Siti ka katër lojtarët që kanë dhënë më shumë pasime të sakta në Premier Ligë.

SUKSESI NË “ETIHAD” – Junajtid ka marrë gjithnjë rezultate surpizë kur ka udhëtuar në lindje të qytetit, duke fituar 3 nga 4 ndeshjet e fundit në “Etihad” në të gjitha kompeticionet. Asnjë përballje në historinë e Premier Ligës nuk ka parë më shumë fitore në transfertë sesa ky duel (21, bashkë me duelin Aston Vila-Liverpul). Por edhe 8 fitoret e Sitit në Premier Ligë në “Old Trafford” janë më shumë se të çdo rivali tjetër të Junajtidit.

Megjithatë, Junajtid është e vetmja skuadër që ka fituar më shumë ndeshje në Premier Ligës sesa ka humbur në “Etihad”. Një tjetër fitore në tokën e armiqve këtë të diel do t’i shihte “Djajtë” të shkonin vetëm 2 pikë larg Sitit në klasifikim, një deklaratë kjo se ata janë të paktën pretendentë për 4 vendet e para. Dhe për 20 herë kampionët e Anglisë nuk do të kishte platformë më të mirë se stadiumi i kampionëve për të treguar muskujt e tyre.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"