Derbi i krizës, trajneri Arteta: Me Çelsin vetëm fitore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 21, 2020 | 20:27

Derbi i krizës, trajneri Arteta: Me Çelsin vetëm fitore

Premier Liga nuk njeh pushim edhe në mesjavë me javën e 24-t e cila është ndarë në tri ditë. Dhe kryendeshja është rezervuar për mbrëmjen e sotme, ku në “Stamofrd Bridge” Çelsi dhe Arsenali do të luajnë derbin e kthesës për të dyja ekipet e Londrës. Presioni më i madh është natyrisht për “Topçinjtë” dhe trajneri Mikel Arteta pranon se ky është një duel ku skuadra e tij është e dënuar të fitojë, përndryshe i jep fund objektivit për të arritur vendin e katërt.

skysports-mikel-arteta-arsenal_4874266

Arsenali mbetet në mes të klasifikimit pas barazimit 1-1 me Shefilld Junajtidin dhe e sheh veten 10 pikë larg Çelsit të vendit të katërt, pozicionit të fundit që të dërgon në Champions. Dhe përpara transfertës së vështirë, tekniku spanjoll tha në konferencë: “Është një ndeshje shumë e rëndësishme. Është shumë-shumë e rëndësishme për ne që ta fitojmë këtë sfidë dhe luftojmë për këtë. Edhe ndeshja që luajtëm në shtëpi (humbën 2-1, pasi kryesonin 1-0) mund të kishte bërë një diferencë të madhe dhe ne ishim shumë pranë. Por nesër (sot) duhet të fitojmë”.

Pavarësisht se Arsenali ka fituar vetëm një nga 5 ndeshjet me Mikel Artetën në stol, një biletë në Ligën e Kampioneve mund të arrihet ende duke parë mungesën e vazhdimësisë së rezultateve të rivaleve të “Topçinjve”. “Të gjithë po hasin shumë probleme për të arritur fitore të njëpasnjëshme.

Kampionati ka qenë shumë konkurrues këtë sezon dhe prandaj diferencat nuk janë shumë të mëdha. Ka ende katër muaj për të luajtur dhe shumë gjëra mund të ndodhin. Ka akoma shumë përballje mes klubeve të mëdha kështu që mendoj se situata e renditjes do të ndryshojë”.

arteta-xhaka-261219

KURZAVA –  Klubi mund t’i ketë bërë dhuratën e parë Artetës në  merkato, por për atë të verës. “France Football” raporton se “Topçinjtë” janë shumë pranë akordit me mbrojtësin e PSG-së, Levin Kurzava. Anësori i majtë, në skadencë kontrate me kampionët e Francës është në bisedime të avancuara për të ardhur në “Emirates” me parametër zero, raportonte një ditë më parë revista. Sipas “France Football”, 27- vjeçari pritet të firmosë një kontratë 5-vjeçare.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"