Derbi i Kavajës, Bubeqi analizon përballjen: Besa është favorite, por Luzi mund t’i hapë punë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2022 | 11:10

Derbi i Kavajës, Bubeqi analizon përballjen: Besa është favorite, por Luzi mund t’i hapë punë

Besa-Luzi 2008 ka ngjallur kërshërinë e mijëra tifozëve të Kavajës e rrethinave të saj. Dënimi i fushës nga Komisioni i Disiplinës i ka hequr mundësinë një spektakli në tribuna për të parën përballje në histori mes dy ekipeve. Për ish-trajnerin e verdhezinjve dhe një ndër golashënuesit më të mirë në histori të Superiores, Dorian Bubeqi, përballja e sotme flet më shumë sesa një sfidë normale. Gjatë një deklarate të dhënë për gazetën, ai thotë:

Bubeqi

“Dueli mes Besës e Luzi 2008 dëshmon më së miri fatet e dy ekipeve. Një Luz që falë përkushtimit, dëshirës dhe investimeve të presidentit Lusha ka arritur sot të konkurrojë plot dinjitet në Ligën e Parë, përballë një Bese që vijon të vuajë në këtë kategori prej 7 vitesh, duke mos u rikthyer dot në Superiore.

Thënë ndryshe, një përballje që dëshmon se futbolli nuk luhet me CV e histori, por me investime, dëshirë e gjunjë. Ashtu si ekipet, ndodhet dhe infrastruktura. Luzi ka një stadium model që po rikonstruktohet e Kavaja djepi i futbollit sot është pa stadium dhe luan jashtë, madje vjet i ka zhvilluar ndeshjet në Luz.

Favorite? Në duele të tilla, ndikim të madh ka dhe pesha e fanellës apo përvoja e Besës.

Kavajasit pavarësisht se përballë kanë vëllezërit e vegjël nuk mund ‘t’i falin’ të paktën këtë herë pasi kanë nevojë emergjente për pikë, nëse duan të qëndrojnë në korsinë e pretendimeve. Luzi është ekip që i hap punë çdo kundërshtari dhe kanë një avantazh, nuk kanë asnjë kavajas dhe do ta shohin Besën thjesht si ndeshje radhe”.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"