Derbi i gafave, Milano nuk ka padron

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 24, 2014 | 8:16

Derbi i gafave, Milano nuk ka padron

Milan-InterShikon Obin dhe thua “Obi do të luajë në derbi? Ku ka përfunduar Mateus?”. Shikon Menez dhe mendon “Ndoshta Van Basten ishte nga një planet tjetër”. Nostalgjia ndonjëherë është një sëmundje e pashërueshme, por vlen shumë pak të kthehesh kokën pas. Sot tifozët e Milanit dhe Interit janë gdhirë me dy heronj të pazakontë: Menez dhe Obi, të cilët me golat e tyre kanë vendosur derbin e “Madoninës”. Përfundon 1-1, një “X” që i lë ekipet në të njëjtat pozita në tabelën e klasifikimit, ndërsa Inzagin dhe Mançinin të zhgënjyer. Milani dhe Interi ishin të barabarta edhe për sa u përket pengjeve, pasi të dyja skuadrat kishin nga një mundësi të artë për të shënuar vetëm për vetëm portierit kundërshtarë. Në fillim ishte Ikardi, që në minutën e 10- të nuk arrin të shfrytëzojë gafën e Muntarit, duke u hipnotizuar nga Diego Lopez, ndërsa në minutën e 75-të El Sharaui, i vetëm përballë Handanoviç, bën më të vështirën duke e dërguar topin në traversë.
Gol kryevepër – Disa vite më parë derbi vlente gjysmëfinalen e Champions-it, ndërsa sot një vend në Ligën e Europës. Diferenca është shumë e dukshme dhe nuk vlen të fshihet. Mirëpo nëse përmbajtja e dy skuadrave është zhvlerësuar ndër vite, atmosfera nuk ka ndryshuar: “San Siro” ishte mbushur në kapacitetin maksimal, e dekoruar, e zjarrtë dhe e bukur si gjithmonë. Edhe goli i kuqezinjve qe në lartësinë e sfidës. Është minuta e 23-të dhe Milani ende nuk e kishte goditur kurrë portën, kur El Sharaui, falë një kundërzbritje të përkryer, fut një top në zonë për Menez, i cili me një të djathtë të përkryer nuk i lë shpëtim Handanoviçit. Barazimi i Obisë (në minutën e 16-të të pjesës së dytë) nga ana estetike nuk është në lartësinë e golit të kuqezinjve, por ka të njëjtën vlerë: Zapata nuk e largon topin siç duhet, Esien duke “i përgjumur” dhe nga kjo zallamahi përfiton Obi, i cili me të djathtën jashtë zone barazon rezultatin. Deri këtu folëm për golat: më pas ka nga një traversë për kokë, që mbanin firmën e El Sharauit dhe Ikardit. Rasti i fundi për gol është në këmbët e Polit në minutën e 94-t, por goditja e italianit nuk përfundon në rrjetë
Në vijën e pozicionit jashtë loje – Inzagi e bazon lojën e tij edhe një herë te kundërsulmet. Ai ishte i aftë brenda zonës dhe skuadra i ngjason, por diferenca është se “Super-Pipo” futbollist, një mundësi të tillë si ajo që kishte në këmbë “Faraoni”, vështirë se do ta shpërdoronte. As ndryshmi i rreshtimit taktik nga 4-3-3 në 4-2- 3-1 nuk arriti që t’i ndryshonte fytyrë një Milani të parashikueshëm dhe me shumë pak ide.
Debutimi i Mançinit – Aventura e dytë e italianit nis me risi, pasi Mançini i surprizon të gjithë duke hedhur në fushë modulin 4-3-3. Kovaçiç luan si fantazist, ndërsa Palasio konfirmohet në sulm së bashku me Ikardin, por ish-lojtari i Xhenoas nuk arrin dot t’ia shpagojë besimin trajnerit. Mesfusha me Obin, Kuzamanoviç dhe Guarin ka shumë pak fantazi, çka reflekton në kundërzbritjen e zikaltërve, që nuk janë pothuajse kurrë të shpejta. Gjithsesi, jemi vetëm në daljen e parë dhe koha në dispozicion të Mançinit është e mjaftueshme. Në “Apiano Xhentile” kantieri është ende i hapur.
Përgatiti: LEAR MAÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"