Derbi i fundit në elitë, bilanc i frikshëm për blutë e Dinamos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 21, 2022 | 0:08

Derbi i fundit në elitë, bilanc i frikshëm për blutë e Dinamos

Dinamo zhgënjeu totalisht me rikthimin e saj në Superiore pas shumë vitesh. Një tregues i qartë i sezonit të dobët dhe rënies së menjëhershme nga elita janë edhe derbet me dy skuadrat e tjera të kryeqytetit, Tiranën dhe Partizanin. Bluve këtë sezon u takoi të luanin plot 12 derbe, 8 në kampionat dhe 4 të tjera në Kupën e Shqipërisë.

tirana-dinamo

Dhe teksa sheh rezultatet dhe bilancin dramatik të derbeve, kupton pse kjo skuadër, që ndryshoi tri herë stafin teknik, nuk mundi të mbijetonte në Superiore. Derbi i nesërm me Tiranën është i 12-ti dhe i fundit për Dinamon në elitën e futbollit shqiptar.

BILANCI – Në 11 derbe të zhvilluara deri tani, Dinamo ka vetëm 1 fitore, 3 barazime dhe 7 humbje. Një bilanc i tmerrshëm për një skuadër që e nisi sezonin me pretendime madhore. Madje, pas barazimit 1-1 në derbin e parë të sezonit, atë me Partizanin në Elbasan, u fol edhe për titullin kampion, por tullumbacja blu u shfry shpejt. Duhet pranuar se në ndonjë rast blutë janë penalizuar edhe nga fati, por më së shumti janë treguar të brishtë në fushë ndaj Tiranës dhe Partizanit. Shumë të brishtë në mbrojtje dhe të dobët në sulm.

Dinamo TIrana

Jo vetëm në derbi, por gjatë gjithë kampionatit Dinamo ka vuajtur në sulm. Në 7 derbe të kampionatit, Dinamo ka shënuar vetëm 2 gola, të dy ndaj Partizanit dhe të dy me të njëjtin autor, kapitenin Agim Ibraimi. Ndaj Tiranës blutë nuk kanë shënuar asnjëherë në tri ndeshje të kampionat, ndërsa në Kupë kanë shënuar 2 gola në ndeshjen e parë çerekfinale, me Ibraimin dhe Skukën.

1 FITORE – Të vetmen fitore në derbi Dinamo e ka pikërisht ndaj Tiranës, kundërshtarit të nesërm. Në sfidën e parë çerekfinale të Kupës blutë fituan 2-0 në “Air Albania”. Edhe në atë kohë u fol për një lloj nënvlerësimi të Tiranës, që në ndeshjen e kthimit fitoi 2-0, por u eliminua me penallti. Në disa derbe kanë vendosur episode, kryesisht gabime individuale të bluve në mbrojtje, ndërsa në ndonjë rast ka vendosur VARi, me ndonjë gol të diskutueshëm të shënuar në limitet e pozicionit jashtë loje.

DERBI I FUNDIT – Nesër, në “Selman Stërmasi”, Dinamo luan derbin e fundit në Superiore. Një ndeshje formale, në fakt, pasi për asnjë skuadër nuk ka rëndësi rezultati. Tirana ka dalë kampione, kurse Dinamo ka rënë nga kategoria. Megjithatë, mund të jetë deri diku një ndeshje prestigji dhe blutë mund të regjistrojnë fitoren e dytë sezonale në derbi, që vlen thjesht për statistika.

FATJON RUPI  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"