Derbi final, Goga dhe Teuta kërkojnë lavdinë. Polemika për biletat, miqtë vetëm… 35

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 19, 2019 | 15:15

Derbi final, Goga dhe Teuta kërkojnë lavdinë. Polemika për biletat, miqtë vetëm… 35

Superliga në basketboll për meshkuj do të përcaktojë sot kampionen e Shqipërisë për sezonin 2018-2019, pasi do të luhet ndeshja e pestë dhe fundit e serisë së finaleve ndërmjet Goga Basket dhe Teuta.

goga teuta

Një derbi ndërmjet dy skuadrave durrsake që kanë qenë protagonistet kryesore të kampionatit si dhe kanë dhuruar ndeshje shumë emocionuese në finalet “play-off”, ku si Goga, ashtu edhe Teuta kanë fituar nga takime. Durrësi është kthyer në epiqendrën e basketbollit shqiptar, ku këto finale kanë dhuruar gjithçka, nga spektakli në parket me ndeshje të vendosura në frymën e fundit, deri te debatet dhe polemikat e shumta ndërmjet ekipeve.

Polemika të cilat duken se do të vazhdojnë deri në fund, ku këtë herë mollë sherri është bërë ndarja e biletave, të cilat tashmë janë shitur të gjitha (700), ndërsa për tifozët e Teutës kanë shkuar vetëm 5% e biletave (rreth 35), gjë që ka sjellë shumë pakënaqësi në kampin e “djemve të detit”. Në prag të kësaj finaleje, “Panorama Sport” ka kontaktuar me Marsel Aliajn, drejtorin teknik dhe njëkohësisht lojtarin e Goga Basket si dhe kapitenin e Teutës, Kristi Gorea.

“Jemi të përgatitur për këtë finale dhe për të dhënë më të mirën në fushë. Do japim maksimumin dhe sigurisht që presim të fitojmë titullin. U renditëm të parët në sezonin e rregullt dhe kjo na mundëson që ta luajmë këtë finale të fundit në fushën tonë. Ky është një favor që na e jep rregullorja. Besoj se do të ketë një impakt, pasi do të kemi tifozërinë tonë që do të na mbështesë”, u shpreh Aliaj në prag të finales së pestë. Më pas Aliaj komentoi edhe çështjen e biletave: “Nuk kam ndonjë dijeni që të ketë ndonjë rregullore të përcaktuar për numrin e biletave që duhet të shkojnë për skuadrën mike. Kemi vepruar ashtu siç është në futboll duke u dhënë 5%. Ne kemi edhe shumë tifozë tanët që nuk mundemi t’i pajisim me bileta. Duke qenë se numri është i limituar, u veprua në këtë mënyrë”, përfundoi Marsel Aliaj.

Ndërkohë, i karikuar për këtë finale shfaqet edhe kapiteni i Teutës, Kristi Gorea: “Vijmë me një moral të lartë, kjo edhe falë fitores që arritëm në ndeshjen e katërt, ku treguam një nivel të lartë loje duke kryesuar gjatë gjithë kohës. Gjithashtu bëmë një mbrojtje tepër efikase që na bën të jemi edhe më të motivuar për këtë finale të fundit. Kundërshtarët do të bëjnë një lojë të ashpër kundër nesh, por ne jemi të përgatitur për çdo lloj skenari. Faktori fushë është i rëndësishëm, por nuk mendoj se do të jetë një problem për ne duke qenë se kemi arritur të fitojmë edhe në fushën e tyre”. Më pas Gorea komenton edhe situatën e krijuar prej mungesës së biletave, për tifozët e Teutës: “I vetmi shqetësim që kemi ka të bëjë me tifozërinë që nuk do të mund të na ndjekë, pasi klubi Goga nuk do të shesë bileta, por do të ofrojnë vetëm 5% për fansat tanë. Për këtë gjë na vjen shumë keq pasi u heq mundësinë publikut për ta ndjekur këtë ndeshje të fundit që është edhe më e rëndësishmja. Megjithatë, ne do të përpiqemi të bëjmë detyrën tonë, të fitojmë titullin pas 63 vitesh dhe t’i bëjmë tifozët të ndihen krenarë”, përfundoi kapiteni i Teutës.

ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"