Derbi dramatik në Prizren, Tirana dorëzohet në shtesë. Bardheblutë vënë eliminatoret në rrezik

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 25, 2018 | 18:40

Derbi dramatik në Prizren, Tirana dorëzohet në shtesë. Bardheblutë vënë eliminatoret në rrezik

E mocione, shpresë dhe dramë! Tirana e basketbollit të meshkujve në Ligën Ballkanike i përjeton të gjitha, në përballjen e dhjetë të luajtur dje në mbrëmje, në Prizren, por në fund duhet të dorëzohet në shifrat 101-95. Vendësit e Bashkimit, të cilët morën një shuplakë të fortë në dy sekondat e fundit të ndeshjes, ku panë Stoubrixhin të barazonte me një trepikësh sfidën dhe ta dërgonte në shtesë, nuk u stepën aspak, përkundrazi, në pesëminutëshin jashtë kohës së rregullt, u treguan edhe më të qartë e agresivë dhe arritën që të fitojnë duke i dërguar në festë tifozët e pranishëm.

bashkimi tirana

Derbi shqiptar ishte një duel që dëfreu, kënaqi dhe trishtoi shumë tifozë, por gjithsesi, për dashamirësit e basketbollit ishte një mbrëmje feste. Fatkeqësisht, kjo humbje e Tiranës vështirëson shumë pozitat e tyre, për të siguruar eliminatoret, duke qenë se për ta ishte humbja e gjashtë dhe e katërta radhazi, e cila i zbret në vendin e parafundit. Prandaj, nëse duan që të vazhdojnë këtë aventurë, skuadra e trajnerit Doukas duhet të nisë të zgjohet.

NDESHJA – Dueli ishte i ekuilibruar që në fillim, me të dy ekipet që tregohen tepër të kujdesshme, sidomos në periudhën e parë, por diferencën për vendësit e bëjnë individualitetet dhe ata arrijnë që të kryesojnë 27-23. Por, në të dytën, Bashkimi i Prizrenit tregohet edhe më i ftohtë, më cinik, por edhe pse Tirana fiton periodën e dytë 20-19, sërish pjesa e parë pa të zotët e shtëpisë në avantazh 47-42. Gjithsesi, pushimi duket se u bën mjaft mirë bardhebluve, të cilët tregohen shumë agresivë, por në të njëjtën kohë edhe shumë konkret, me Hysenagollin dhe Stoubrixhin që tregohen snajperë të vërtetë, ndërsa Shima është “mbret” i topave të ajrit.

tirana-karpos-sokoli-basket-hysenagolli

Këto bëjnë që perioda e tretë të shihte Tiranën në kryesim, me rezultatin 59-69. Kjo përmbysje e çmendur nga ana e bardhebluve u duk se i dha fund ndeshjes, por në periodën e fundit ndodh çmenduria. Tirana përgjumet, Bashkimi godet, aq sa në 4 sekonda nga fundi, merr avantazhin 84-81. Por në dy sekondat e fundit, një “perlë” e Stoubrixh, një gjuajtje milimetrike përfundon në kosh në rënien e kambanës dhe ndeshja përfundon në shtesë. Por kush mendonte se Bashkimi ishte demoralizuar gabon rëndë, pasi prizrenasit vendosin një seri të shpejtë 9-3 dhe ky avantazh i lejon që të dërgojnë në shtëpi fitoren, në shifrat finale 101-95.

bashkimitirana

Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"