Derbi bregdetar, Teuta me dy mungesa në Vlorë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 20, 2018 | 17:43

Derbi bregdetar, Teuta me dy mungesa në Vlorë

Teuta po e përgatit me qetësi takimin e radhës kundër Flamurtarit në Vlorë, ku kërkohet një tjetër fitore për t’u afruar edhe më shumë me mbijetesën. Derbi bregdetar gjithmonë ka dhuruar spektakël në vitet e fundit, pavarësisht pozicionit në klasifikim që kanë pasur dy ekipet, ndaj edhe këtë të diel pritet një ndeshje tepër e luftuar.

teuta

Situata, në të cilën ndodhet Flamurtari, është një element pozitiv për durrsakët, që duan të vazhdojnë me serinë e fitoreve dhe nga ana tjetër të “zhytin” në krizë totale kuqezinjtë, që pas eliminimit nga Kupa e Shqipërisë, rrezikojnë shumë pjesëmarrjen në kompeticionet europiane. Në këtë moment, në fushë do të përplasen dy ekipe me filozofi të njëjtë, por që objektivat ndryshuan me kalimin e javëve, veçanërisht për Flamurtarin, që aktualisht është pa trajner, pas largimit të Shpëtim Duros.

Në këtë edicion, Flamurtari dhe Teuta janë përballur tri herë, dy takimi janë mbyllur në barazim pa gola, ndërsa një prej tyre është fituar nga kuqezinjtë (2-1). Nëse marrim në konsideratë pesë ndeshjet e fundit, tri takime janë mbyllur në barazim, ndërsa nga një ndeshje ka fituar çdo skuadër. Interesant është fakti se golat janë shënuar me pikatore në pesë ndeshje, vetëm katër gola, 2 nga çdo skuadër. Pra, statistikat tregojnë qartë se ndeshjet kanë qenë shumë të luftuar dhe e tillë pritet të jetë edhe ndeshja e fazës së katërt, që do të luhet në stadiumin e Vlorës. Për këtë takim, trajneri Gentian Begeja nuk do të ketë në dispozicion mbrojtësin e djathtë Bojan Gjeorgjievski për shkak kartonësh, i cili është kthyer në një lojtar tepër të rëndësishëm për bregdetarët.

Në vendin e tij pritet të aktivizohet Fabjan Beqja, që në ndeshjet e fundit ka luajtur si mesfushor apo sulmues krahu. Pra, kundër kuqezinjve, stafi teknik do të ketë shumë dilema sa i përket formacionit, pasi mungon edhe mesfushori Ardit Hila. E rëndësishme për “djemtë e detit” është fakti që skuadra gëzon gjendje të mirë fizike dhe nuk ka asnjë të dëmtuar, por vetëm dy të pezulluar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"