Derbet si makth/ Bilanci i dy viteve, ja kush duhet t’i trembë “demat”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 22, 2022 | 23:10

Derbet si makth/ Bilanci i dy viteve, ja kush duhet t’i trembë “demat”

Në verën e vitit të sh kuar Partizani ndërtoi një skuadër thuajse të re, përgjithësisht me lojtarë, që kishin spikatur në skuadra të tjera shqiptare, duke nisur kështu një cikël të ri. Nisjet janë gjithnjë të vështira dhe vjet të kuqtë vuajtën shumë, veçanërisht në pjesën e parë të sezonit. Më pas e morën disi veten dhe arritën deri në vendin e tretë, duke mos prishur traditën e kualifikimeve radhazi në Europë.

partizani tirana derbi

BILANCET – Partizani e ka nisur mirë këtë sezon, duke luftuar me Tiranën për kreun. Por nëse u bëjmë një analizë rezultateve të tyre ndaj nëntë kundërshtarëve të sivjetshëm në dy sezonet e fundit, kuptojmë se të kuqtë kanë “viktima” të preferuara, por edhe “mace të zeza”.

“VIKTIMAT E PREFERUARA” – Teuta është skuadra ndaj së cilës Partizani regjistron rezultatet më pozitive në dy sezonet e fundit. Seria nisi me një humbje në nisjen e sezonit të vjetshëm, por më pas Partizani numëron 4 fitore radhazi ndaj bregdetarëve, duke i shndërruar në prenë e preferuar. Një tjetër skuadër ndaj së cilës Partizani ka ecuri të mirë është Kukësi. Me verilindorët të kuqtë kanë fituar 3 herë dhe numërojnë 1 barazim dhe 1 humbje.

Laçi gjithashtu ka hasur vështirësi ndaj “demave”, megjithëse fitoi në ndeshjen e fundit. Partizani ka 3 fitore ndaj kurbinasve, kundrejt 1 barazimi dhe 2 humbjeve. Thuajse e njëjta situatë është ndaj Egnatias, teksa me Bylisin i ka fituar dy betejat e vjetshme. Vjet ballshiotët dhe Erzeni ishin në të Parën.

REZULTATET

“MACET E ZEZA” – Tirana është skuadra që Partizani vuan më së shumti kur e ka përballë. Nga nisja e sezonit të shkuar derbi është luajtur 5 herë dhe “demat” numërojnë 4 humbje dhe 1 barazim.

Ndërkohë, Vllaznia gjithashtu është një skuadër, me të cilën Partizani ka vuajtur shumë për të shkuar te fitorja. Me shkodranët mbretërojnë barazimet, plot 4 në 7 përballje gjithsej. Të kuqtë kanë marrë vetëm 1 fitore. Edhe ndaj Kastriotit “demat” nuk ia kanë dalë të korrin ecuri në favor të tyre.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"