Denonconte publikisht trukimet në futbollin shqiptar, arbitri rikthehet në fushë dhe vendos drejtësi në ndeshjen…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 26, 2020 | 14:02

Denonconte publikisht trukimet në futbollin shqiptar, arbitri rikthehet në fushë dhe vendos drejtësi në ndeshjen…

Ndeshja miqësore mes Flamurtarit dhe Orikut u arbitrua nga gjyqtari Kleanto Sheko.

kleanto sheko

Kujtojmë që gjyqtari Sheko denoncoi publikisht një vit më parë në gazetën “Panorama Sport” trukimet që bëhen në futbollin shqiptar. Tashmë ai është kthyer të arbitrojë, por vetëm në një ndeshje miqësore, jo në ndeshje zyrtare.

Kujtojmë se në maj të 2019-ës, Sheko në një letër të dërguar “Panorama Sport”, shkruante se shefat që bëjnë ndarjen e arbitrave i quajnë “budallenj” ata që arbitrojnë drejt… Ai i bënte thirrje Dukës të ndërhyjë, pasi pretendonte se për çdo pisllëk që bëhet përdoret emri i presidentit të FSHF-së.

JA LETRA E PLOTË E GJYQTARIT

Në fakt, mendova të mos shkruaja, mendova ta lija në heshtje. Por, kur pashë që për të disatën herë na bëtë përsëri “klounë”, vendosa të flas dy fjalë. Megjithëse arbitër deri në nëntor në Kategorinë e Dytë, kuptova shumë qartë se çfarë pluhuri e ka zënë Sektorin e Arbitrimit në federatë. Përjashtoj këtu Tahir Kastratin dhe Petrit Brahjen, sepse nuk kanë funksione vendimmarrëse. Respekt për moshën dhe mendoj se ata ende ruajnë ndonjë vlerë njerëzore. Një pluhur që do pastruar me lavash, jo me pecetë duarsh… Dëgjova dhe ish-arbitrin e FIFA-s, Lorenc Jemini, që thoshte se “ky ishte sezoni më i mirë i arbitrave”. Megjithëse gëzon respektin, i them Jeminit se si mund të ketë qenë i tillë kur janë rrahur arbitra në Superiore, madje “live”?!

E si mund të ketë qenë i tillë kur kanë ndodhur çudira në kategoritë inferiore?! E si mund të ketë qenë i tillë kur kanë hequr me lezet Olsi Sokolin, më të përgatiturin fizikisht?!

E si mund të ketë qenë i tillë kur asnjë arbitri të Shqipërisë nuk i besohet një ndeshje mesatare si (TiranaKastrioti)?! E si mund të ketë qenë i tillë, kur që te moshat (të rinjtë dhe paratërinjtë) arbitrat e dinë ndeshjen që të hënën?!

E si mund të jetë i tillë, kur sistemi në federatë për kualifikimin e arbitrave nuk funksionon, megjithëse ekziston…?! Aty ku ndahen si pjesë tepsie: “ky është i imi, ky është i këtij, ky është i yti, ky tjetri ka mik të fortë, për këtë ka dhënë urdhër filani…”.

Pastaj fillon ndarja tjetër: “ky i pari ky s’ka njeri, lëre s’ka gjë, ky është (budalla) se i bie drejt…”. E si mundet vallë të vazhdojë kështu, kur ju kolegë dhe ish-kolegë e dini mirë që presidentet ju marrin nëpër ndeshje dhe ju detyroheni të bëni çudira?!

E si mundet, kur ju kolegë apo ish-kolegë e pranoni në heshtje këtë që po ndodh me ju dhe futbollin në Shqipëri?! Megjithëse nuk është vetëm faji i tyre pluhuri në KCA (Komiteti i Caktimit të Arbitrave), por dhe i juaji, sepse për një ndeshje më shumë pranoni edhe detyra që ndonjëherë nuk u jepni dot zgjidhje. Sepse akoma nuk e dini që futbolli është loja më e bukur në botë. Futbolli është respekt, futbolli është “fair play”, futbolli është pasion dhe përkushtim.

Ndaj, edhe ne jemi pjesë e rëndësishme e tij. Nëse nuk e dinit, ndoshta e mësuat tashmë. Nuk shkruaj sepse dua t’ju kritikoj apo sepse dhe mua më është bërë padrejtësi, apo ndoshta sepse jam mërzitur që nuk më kanë ngritur në Kategori të Parë apo Superiore, por shkrova për arsyet qesharake të pluhurit që ka zënë zyrat e federatës. Shkrova që presidenti të marrë vesh që këta i përdorin emrin e tij në çdo vend dhe e kanë kthyer arbitrimin në zyrë punësimi për miqtë e tyre.

Çdo gjë që bëhet në arbitrim, bëhet në emër të tij. Çdo pisllëk që ata bëjnë ia faturojnë atij. Po shkruaj dhe që presidenti të kuptojë se i kushton më pak FSHF-së dhe futbollit tonë një dizenjator i huaj se pluhuri që është në federatë. Në fakt, nga pluhur tashmë është kthyer në gëlqere që do bëjë pis dhe zyrën e tij.

PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE:

EKSKLUZIVE/ Dëshmia tronditëse: Si i vendosin arbitrat ndeshjet në Shqipëri (E PLOTË)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"