“Dënoi Sherrin, për të futur mikun”, shpërthen trajneri shkodran: Me Jonuz 10 vite pas, të japë dorëheqjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 6, 2020 | 13:00

“Dënoi Sherrin, për të futur mikun”, shpërthen trajneri shkodran: Me Jonuz 10 vite pas, të japë dorëheqjen

Samuel Nikaj pret që Mirsad Jonuz të japë dorëheqjen. I ftuar në “TV Rozafa” pak para se të luhej ndeshja me Kukësin (më 3 mars), shkodrani teksa analizonte problemet e Vllaznisë, evidentoi se gjithçka çalon te trajneri që jo vetëm nuk ka ide, por ka prishur harmoninë e ekipit pas humbjes me Tiranën. Nuk kursen as administratorin Suad Lici, që e quan naiv. 

nikaj

HUMBJA ME SKËNDERBEUN 

“Vllaznia shkonte psikologjikisht e rënduar me Skënderbeun, në asnjë moment nuk bëri asgjë për ta fituar ndeshjen. Për shumë gjëra nuk jam dakord dhe po marr një shembull: ndërrimin e Ramadanit me Shehin, në një kohë që Gurishta shkoi para mbrojtjes. Nuk mundet Vllaznia të luajë në Shkodër me 10 lojtarë, nuk po e llogaris portierin, kur 6 janë me tipare mbrojtëse. Ke një Hygor që ka më shumë tipare organizative sesa sulmuese dhe që nuk e bën diferencën në driblime një kundër një, apo s’ka ndonjë pas vertikal shumë të hollë.

Me një Likë e Krujë është e vështirë të bësh gol dhe sidomos një ekipi si Skënderbeu që luan futboll të hapur. Në këtë takim duhej një ekip më ofensiv dhe në këtë pikë çeduan. Ilir Daja është trajneri më i mirë në Shqipëri, sepse i dinte pikat e dobëta dhe na sulmoi pikërisht aty. Në krahun e majtë Markun e sulmoi me Gripshin.

Jo se Marku është i dobët, por nuk është i majtë. E njoh si lojtar, pasi e kam pasur te Tërbuni dhe është i djathtë. Është si të marrësh Çinarin e Partizanit dhe ta çosh majtas. Është pa vend. Plus që trajneri i Skënderbeut e la ekipin e zgjatur, pasi donte të shfrytëzonte tranzicionin negativ.

Nikaj

Në këtë formë e gjeti mundësinë për të shënuar. Pati dy mundësi në 3 minuta dhe një e shënuan. Ne nuk bëmë asgjë. U munduam me u mbrojt, por edhe atë s’e bëmë dot. As me sulmuar nuk mundeshin, përtej ndonjë përpjekjeje me goditje standarde. Dhe kjo është pak për Vllazninë. Nuk ka asnjë koncept si do me e kërkuar golin me goditje nga larg të Likës apo Hygor. Nuk ka asnjë lloj kombinacioni.

Unë shoh ndeshjen krejt i qetë dhe jo si një tifoz, por flas si një trajner që ka të paktën 300 ndeshje. Kjo është një mangësi e Jonuzit. Më vjen keq të flas për një koleg, por ky trajner na ka kthyer shumë vite prapa. Këtë mënyrë loje unë e kam bërë në 2010-2011 tek Ada. Kam qenë i ri atëherë dhe futesha në lojë me u mbrojt dhe mos me humb. ‘KÇK’, kap ça të kapësh. Por nuk është Vllaznia për këtë lojë”.

ÇËSHTJA E FUSHËS 

“Nga niveli si trajner, nuk ka sjellë ndonjë risi në mënyrën e të luajturit futboll. Dhe më i djeguri në këtë mes është Suad Lici, që e trumbetova shumë që të ishte administrator, por shkëputja që ka pasur nga realiteti e ka bërë pak naiv. Na është bërë një bashkëpunim maqedono-moldav, me lojtarë mediokër që na kanë sjellë në Shkodër. Na kanë hedhur hi syve, me lojtarë anonimë. Janë bërë 17-18 blerje e janë larguar shkodranët. Por me qenë për ‘play out’ shkonim edhe me Vllazninë B, duke i alternuar me të rinjtë e akademisë. Ajo që mua më shqetëson te një trajner dhe ma heq krejt respektin, janë deklaratat pas ndeshjes. Nuk mundet trajneri të fshihet pas gishtit.

Nikaj

Nuk është fusha faktor, pasi aty janë stërvitur trajnerë të tjerë. Edhe Baldo Raineri atje është stërvitur dhe mori gjithë ato pikë dhe pati futboll të bukur. U kënaqëm në futboll, morëm 7-8 fitore resht. Fusha ishte tapet, ta kishte ruajtur kur binte shi. Janë justifikime këto dhe të këqija. Pas Tiranës, duhet ta hiqnin. Nuk e di kush e merr vendimin, Suadi a ndonjë tjetër. Si del një trajner dhe i masakron lojtarët, kur me ata do vazhdojë të luajë?!

Atij i ka humbur reputacioni. Në momentet e para kur erdhi në Shkodër, gjeti mbështetje prej të vjetërve si Malota, Lika e Shtubina. Pasi u bënë blerjet, lojtarët nuk e kanë më atë harmoni dhe qejfin që luanin. Shtubinën e ka degdis, por nuk e di si e pranon ai kaq thjeshtë. Të luajë Sidorenko dhe Hristov para Shtubinës, mua më duket jonormale. Mund të thotë kushdo që nuk është ai që ka qenë e ka rënë, por Shtubina bën diferencë mes tyre. Edhe Kruja me Zogajn janë më mirë se ata që kanë ardhur.

GABIMI ME PORTIERIN 

Bëri një gabim tjetër të pafalshëm dhe është gjynah se s’po i bën në Peqin, por te një qytet i mbushur me specialistë futbolli që kanë drejtuar edhe ekipet Kombëtare. E kam te portieri… Po si bëhet ai gabim me një portier të talentuar, pavarësisht të gjitha gabimeve. Çfarë duhet t’i themi Alban Hoxhës që hëngri gol nga 45 metra, apo për Xhikën që ia kujtoi stolin Duros?! Çfarë duhet t’u bëjmë atyre, t’i pushtojmë?! Apo hajde na doli rasti dhe t’i bëjmë një nder një prej Maqedonisë dhe një njeriut të vet. Nuk më duket normale. Ndoshta bëj gabim që flas, por unë kështu tipi jam. Nuk po flas këtu se kam ndonjë tendencë që të marr Vllazninë, pasi shumë shpejt mund të marr drejtimin e një ekipi tjetër në Kosovë. Madje që këtë javë, sepse jam në bisedime të afërta”.

Samuel Nikaj 3

 PRITSHMËRITË PËR TË ARDHMEN 

“Duke u nisur nga deklarata e trajnerit, që ka thënë ‘do e shihni Vllazninë pas 6 muajsh’, kisha pritshmëri më të mëdha. Por me këtë që shoh sot, jam skeptik për vazhdimësinë dhe sidomos me këtë trajner. Sa më shpejt të japë dorëheqje, aq më mirë do ishte. Nëse e ka sedrën sigurisht. Një trajner e di vetë kur duhet të ikë. Nuk mendoj se duhet të presë që ta heqë klubi apo të kapë dëmshpërblimin. Nuk ka dhënë kurrë gjë. Na ka çuar në një pikë shumë të keqe, pasi nuk ishte Vllaznia për ‘play out’. Objektivi ishte Europa dhe ajo tani është shumë larg.

Ishte në vend të 6-të e të 7-të, por sapo i rrëshqiti këmba, s’e mbajti dot më presionin. Ndaj duhet të largohet sa më shpejt. Nuk është trajner që e mban presionin. Nuk bëhet nami se na mundi Tirana dhe ta bësh dramë, duke hequr portierin dhe duke i bërë nder dikujt tjetër. Ne nuk jemi të marrë, i deshifrojmë intervistat. Pas Luftëtarit, me zor priti ta thotë se sa mirë ishte portieri maqedonas. Mua nuk më duket ai portier i ndonjë niveli. Një rast pati me Luftëtarin dhe atë e priti në dy kohë gabim. Jo se kemi qenë më mirë dy vite para, por ideja është me pas progres”.

vllaznia-3-770x470

PESHA E LOJTARËVE 

“Pasqyra e një ekipi është trajneri dhe këta lojtarë nëse do të ishin me të duhurin, do ndryshonte situata. Kemi 7-8 lojtarë që çdo ekip i ka zili, Malota, Krymi, sulmuesi Hygor e Kruja. Mungon një mbrojtës i majtë, kur ke 5 qendërmbrojtës dhe 3 të djathtë. Është ndërtuar ekipi gabim. Kemi vetëm një qendërsulmues dhe 8 anësorë, 4 të majtë e 4 të djathtë. Në një kohë që dy luajnë dhe të tjerët janë rezerva”.

 PESIMIZMI PARA KUKËSIT 

“Për shpirt kisha dhënë lekë me fituar Vllaznia të mërkurën (i referohet ndeshjes me Kukësin), pasi nuk e do Jonuzi më shumë se unë. Nëse një ekip ndryshon pak, duhet bërë një analizë edhe me specialistët e Shkodrës. Me marrë një mendje dhe me i mbajt afër, duke ndryshuar edhe pak botëkuptimin. Ka mbetur te stafi i ngushtë dhe me atë staf të ngushtë që ai ka, është zor me dalë nga kjo gjendje që kanë rënë. Po të konsultohet me njerëzit e duhur, mund të dalë. Këtë zymtësi dhe pesimizëm e ka sjellë vetë trajneri pas Tiranës”, përfundoi Samuel Nikaj, trajneri i sapolarguar nga Liria e Prizrenit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"