Dënimi për trukime, Takaj: Jam i habitur, UEFA na dha 105 mijë euro

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 8, 2016 | 15:07

Dënimi për trukime, Takaj: Jam i habitur, UEFA na dha 105 mijë euro

Deklarata e zyrtarit të lartë të UEFA-s ka shtangur drejtuesit e Skënderbeut. Kur mendohej se çështja e dënimit të klubit korçar kishte marrë fund, në shtëpinë e kampionëve tashmë nuk mund të jenë aspak të qetë. I kontaktuar dje nga “Panorama Sport”, presidenti Ardjan Takaj sqaroi se nuk është aspak në dijeni të një rihetimi të çështjes “Skënderbeu”, që pas dënimit me një vit për mospjesëmarrje në Ligën e Kampioneve. Kreu i klubit zbuloi për gazetën se vetëm tri ditë më parë UEFA i ka dhënë një shpërblim prej 105 mijë eurosh Skënderbeut.

Takaj sdi gje

Reagimi

“Ka mbaruar ajo histori, u dënuam një herë. Nuk jam aspak në dijeni të një tjetër hetimi që mund të hapet për klubin tonë. Tani po e mësoj që një zyrtar i lartë i UEFA-s paska përmendur emrin e Skënderbeut. OK, nuk e pengon askush UEFA-n për të hetuar gjithë ekipet europiane.

Kjo është puna e tyre, por unë di të them se kontakti ynë i fundit me institucionin më të lartë të futbollit europian është jo më larg se të hënën, kur jemi njoftuar për një premio sa i përket ‘fair-play”-it financiar. UEFA ka vlerësuar klubin tonë dhe e ka shpërblyer me 105 mijë euro. Kaq mund të them, ndërsa për gjërat e tjera s’kam çfarë të flas. Për çështjen e Skënderbeut është marrë një vendim nga UEFA dhe KAS-i e ka lënë në fuqi.

Nuk e di këtë praktikë, që ne tashmë do të rihetohemi për të njëjtën çështje. Kjo nuk është dëgjuar në asnjë vend të botës, por derisa ka folur shefi i zyrës juridike, s’kam çfarë të them. E përsëris, nuk kemi asnjë informacion këtë çështje”, është shprehur dje në mbrëmje presidenti i kampionëve në fuqi.

Prej katër sezonesh, Takaj investon te Skënderbeu, duke qenë në statusin e kreut të klubit. Në epokën e tij, përveç titujve radhazi, skuadra korçare mori pjesë për herë të parë në fazën e grupeve të Ligës së Europës. Korçarët në verën e këtij viti u dënuan nga UEFA për trukime, duke qëndruar jashtë Ligës së Kampioneve në edicionin e fundit.

Jorgis Memo

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"