Dënimi nga FIFA, “Panorama Sport” paralajmëroi Tiranën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 28, 2017 | 15:09

Dënimi nga FIFA, “Panorama Sport” paralajmëroi Tiranën

Është e pabesueshme se si klubi më i suksesshëm dhe një ndër më të vjetrit në Shqipëri e pëson për gabime foshnjarake. Pa dyshim që borxhet e prapambetura te Tirana, që nuk kanë lidhje me epokën e re “Halili”, kanë krijuar probleme serioze prej kohësh. Por, ama, disa penalizime ekstra si ky i fundit, që e rëndojnë edhe më shumë situatën, mund të shmangen nëse zyrtarët e tij do të bënin detyrën si duhet.

Martin Kavdanski Tirana

Ka ikur koha kur presidenti hedh paratë, shlyen borxhet, përpiqet të rregullojë stadiumin, bën merkaton, zgjedh trajnerët, kujdeset për marketingun etj. Në një klub të rëndësishëm në vitin 2017 nuk mund t’i bëjë të gjitha vetëm një njeri, sado i aftë dhe i pasionuar mund të jetë ai. Dhe me gjithë respektin për Halilin, ndoshta ka ardhur koha të shikojë te njerëzit që e rrethojnë nëse janë të duhurit dhe mjaftueshëm të përgatitur për të menaxhuar një klub kaq të rëndësishëm dhe me pretendime të mëdha…

Pse? Sepse rasti i fundit është ndoshta më domethënësi se si një klub nuk duhet të funksionojë. Alarmi i gazetës Saktësisht më 25 gusht të vitit të kaluar, gazeta “Panorama Sport” doli me kryeartikullin: “Gjyqi me një bullgar, FIFA bllokon merkaton e Tiranës”. Më tej në brendësi gazeta shkruante: “Martin Kavdanski luajti vetëm 4 ndeshje me Tiranën dhe, më pas, u largua pa lënë asnjë gjurmë, por qendërmbrojtësi bullgar u ka hapur një telash të madh bardhebluve.

Ai është ankuar në FIFA për zgjidhje të njëanshme të kontratës dhe e ka fituar gjyqin me kryeqytetasit. Duke qenë se kjo është e disata herë që Tirana shfaqet në zyrat e FIFA-s si klub borxhli, dje është marrë edhe një vendim drastik: ‘Pezullohet merkato e Tiranës për periudhën në vijim’. Ky ka qenë verdikti i institucionit botëror të futbollit, i cili gjithashtu bën me dije se Tirana duhet që të ketë edhe një numër faksi funksional, pasi nuk arrin të komunikojë në rrugë zyrtare me klubin 24 herë kampion të Shqipërisë”.

Faqja e pare 2016

Më 25 gusht të vitit 2016, gazeta “Panorama Sport” paralajmëroi atë që u zyrtarizua dje, teksa doli me kryeartikullin: “Gjyqi me një bullgar, FIFA bllokon merkaton e Tiranës”.

Po çfarë ndodhi më pas? Klubi në po të njëjtën ditë iu përgjigj gazetës me një prepotencë të pashembullt, duke deklaruar: “KF Tirana dëshiron të sqarojë tifozët dhe opinionin publik për një çështje të publikuar sot në media. Asnjë rrezik nuk i kanoset të tashmes apo të ardhmes së klubit. Detyrimi ndaj Martin Kavdanskit është likujduar në kohë. Detyrimi financiar ndaj futbollistit ka qenë vetëm 5 mijë euro, shifër e cila është derdhur në llogarinë e tij bankare dhe më pas është bërë edhe njoftimi përkatës ndaj FSHF-së dhe FIFA-s.

KF Tirana fton tifozët që presin me optimizëm sezonin e ri që do të jetë absolutisht më i bukur dhe premtues se viti që lamë pas. Klubi në muajt e fundit ka likuiduar shifra shumë të mëdha borxhesh të trashëguara dhe u ka dhënë zgjidhje problemeve madhore duke mos lejuar asnjë penalitet. Puna e bërë nuk mund të përbaltet nga askush. Në ditët e ardhshme do të publikohen çështje që kanë marrë zgjidhje për të vijuar normalisht punën për sezonin e ri…”.

Qartazi del në pah se zyrtarët e klubit Tirana nuk impenjohen të analizojnë me seriozitet të shohin se çfarë mund të rrezikojnë, por kërkojnë me çdo mënyrë të sulmojnë këdo që u vë në dukje gjëra që nuk shkojnë. Pra, i paguajnë paratë në fund, por sërish penalizohen. Agresivitet i pakuptimtë dhe mungesë profesionalizmi, çka do të thotë se ndonjëherë Tirana nuk vuan vetëm për lekë, por edhe për mend…

Tirana postimi 2016

Rasti i Dejam Karan

Gazeta pat njoftuar në maj të vitit 2016 se mbrojtësi serb Dejan Karan nuk do të rikthehej te bardheblutë, por klubi Tirana sërish pati akuzuar gazetën me tendencë dhe për lajm të pavërtetë. Koha tregoi se “Panorama Sport” jo vetëm u kishte servirur të vërtetën tifozëve të Tiranës, por Karan u ankua edhe për rroga të pashlyera…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"