Dëmtohet Isufi, pritet një Luftëtar ndryshe kundër Laçit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 27, 2020 | 14:25

Dëmtohet Isufi, pritet një Luftëtar ndryshe kundër Laçit

Në një kohë që Luftëtari vijon përgatitjet për ndeshjen me Laçin, në seancën e së martës, mbrojtësi shkodran, Enes Isufi, pësoi një dëmtim në tendinën e këmbës së majtë. Në momentin e parë u mendua se bëhej fjalë për një dëmtim të lehtë për shtatlartin shkodran. 

Enea-Isufi

 

Mirëpo, pas kontrollit që stafi mjekësor bëri, ka rezultuar një dëmtim jo i lehtë. Isufi pritet të mungojë ndaj Laçit të shtunën, por me shpresën që do të rikthehet në ndeshjen e javës tjetër. “Ndjeva dhimbje në tendinën e këmbës së majtë, ndaj dhe sot (dje) m’u desh të shkoj në Janinë për të bërë fizioterapi. Me ndihmën e Zotit them të jem i gatshëm për ndeshje sa më shpejt. Megjithatë, jam në pritje të përgjigjes nga mjeku i skuadrës”, deklaroi dje Isufi për “Panorama Sport”. Shkodrani u afrua te Luftëtari në verën e vitit të kaluar pas aventurës me Skënderbeun.

luftetariii

FORMACIONI – Luftëtari ka kryer seancën e radhës stërvitore dje në kompleksin “Fusha e Vjetër” në orën 11:30. Përveç Isufit, trajneri Neritan Novi i kishte në dispozicion të gjithë lojtarët. Kreu i ri i pankinës ka punuar më tepër taktikisht me skuadrën. Ai eksperimentoi vendosje të lojtarëve me qëllim përzgjedhjen e formacionit. Alternativat nuk mungojnë në mbrojtje, pasi Dragoshi, Demo, Lala, Kukaj, Duka dhe Dushkaj do të jenë ata që do të luftojnë për katër vende. Më afër formacionit në prapavijë duken Dragoshi, Demo, Lala dhe Dushkaj, por kjo mbetet për t’u parë. Sa i përket mesfushës dhe sulmit, të gjithë lojtarët janë të gatshëm, ndërsa pritet rikthimi si titullar i Gresild Likës dhe Erald Hysenit, të cilët munguan në ndeshjen ndaj Vllaznisë. Gjasat janë që Lika të bëjë rolin e qendërsulmuesit, por kjo mbetet për t’u parë, në një kohë që alternativa për këtë pozicion janë Oshafi dhe Mehmetllari.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"