Dëmtohet Da Silva, Brdariç bën dy lëvizje në formacion para Kukësit. Shikoni rreshtimet e mundshme

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 29, 2020 | 11:25

Dëmtohet Da Silva, Brdariç bën dy lëvizje në formacion para Kukësit. Shikoni rreshtimet e mundshme

Vllaznia po kalon momente mjaft të mira në këtë start të sezonit. 10 pikë në katër ndeshjet e para po tregojnë stabilitet te skuadra e drejtuar nga Tomas Brdariç. Përveç efikasitetit gjatë ndeshjeve, ajo që ka bërë përshtypje është fakti se trajneri gjerman ka përdorur të njëjtin formacion, madje edhe në Kupë. Mirëpo, këtë herë, në prag të ndeshjes me Kukësin, që do të luhet sot në orën 16:45 në stadiumin “Loro Boriçi”, Brdariç është i detyruar të bëjë lëvizje në formacion.

da silva vllaznia

Mungesës së sigurt të mbrojtësit të majtë, Aleksandar Isaevski, për shkak të kartonit të kuq të marrë në takimin e luajtur në Durrës të mërkurën, pritet t’i shtohet edhe ajo e brazilianit Viktor da Silva. “Panorama Sport” mëson se fantazisti po vuan goditjen e marrë në kavilje në fillimin e lojës ndaj Teutës pas ndërhyrjes së kapitenit durrsak, Renato Arapi. Ky dëmtim me shumë mundësi do ta lërë jashtë Da Silvën për ndeshjen ndaj Kukësit, për më tepër që koha është shumë e shkurtër dhe kavilja e lojtarit vazhdon të jetë e ënjtur. Sot do të vendoset përfundimisht nëse mesfushori me tipare sulmuese do të përfshihet në formacion apo do të mungojë në takimin e së dielës.

NDRYSHIMET – Brdariç ka gati emrat për të zëvendësuar Isaevskin dhe Da Silvën. Skema 3-4- 3 nuk do të ndryshojë, por risitë në formacion pritet të jenë pikërisht Fjoart Jonuzi në mesfushë dhe Ardit Hoxhaj ose Ismael Dunga në fazën sulmuese. Në seancën e djeshme trajneri ka ngatërruar “kartat”, duke mos lënë shumë të kuptohet se cilët mund të jenë lojtarët që do të zënë vendet e atyre që do të mungojnë. Megjithatë, plani i gjermanit është zhvendosja e Herald Markut në krahun e majtë dhe në vendin e tij të luajë pikërisht Jonuzi në rolin e mesfushorit të qendrës bashkë me Krymin.

FORMACIONET]

Marku është lojtari “xhol” për skemat e Brdariçit, pasi me variantin që po përdor Vllaznia, nga krahët duhet një futbollist që përshtatet jo vetëm në fazën sulmuese, por bën mirë edhe detyrat mbrojtëse. Nga ana tjetër, për pozicionin e Da Silvës ka një balotazh mes Ardit Hoxhajt dhe Dungës. Ky i fundit ka shënuar dy gola si zëvendësues, ndërsa këtë herë mund të jetë në dyshen e sulmit me Dilaverin. Megjithatë, dilemat do të zgjidhen vetëm pak orë para sfidës, pasi mund të ketë ndonjë surprizë të pakëndshme.

ADMIR URUÇI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"