Dëmtohen dy sulmuesit e Tiranës, Ahmataj nis të mendojë formacionin. Ja çfarë testoi dje tekniku

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 14, 2019 | 8:24

Dëmtohen dy sulmuesit e Tiranës, Ahmataj nis të mendojë formacionin. Ja çfarë testoi dje tekniku

Tirana në stërvitje pa dy sulmuesit Majkëll Ngo dhe Grent Halili. E mërkura ka qenë një ditë tjetër pune për bardheblutë, por me mungesa në skuadër, sidomos në repartin e sulmit.

Grent Halili

Nuk u stërvitën dje me ekipin Majkëll Ngo dhe Grent Halili. Ky i fundit ka probleme në kofshë dhe nuk është përgatitur me skuadrën gjatë të mërkurës. Bëhet fjalë për një kontraktim. Pushim është lënë nga stafi teknik edhe sulmuesi tjetër i skuadrës, Majkëll Ngo. Anglezi ka pasur lodhje fizike dhe është lënë pushim nga stafi teknik. Me shumë mundësi ai mund të kthehet sot në stërvitjen e Tiranës.

Përgatitjet – Julian Ahmataj dhe stafi i tij teknik janë duke punuar për të ndërtuar një formacion fitues kundër Skënderbeut. Me mungesën e Bathës në mesfushë, Karabeci dhe Hasani kanë një shans më shumë për të qenë në fushën e lojës. Ahmataj ka punuar shumë dje në lojën një me një, duke vënë përballë mbrojtësit kundër mesfushorëve dhe sulmuesve.

tirana

Në fazën mbrojtëse është vënë re problemi i bardhebluve, sepse në shumicën e rasteve ata që kanë fituar ishin lojtarët që sulmonin. Për të plotësuar skuadrën, pas mungesave të Muçit, Ismajlgecit, Çelhakës, që janë tek ekipet kombëtare, Ahmataj ka afruar dy lojtarë nga 19-vjeçarët, Çejkun dhe Abazajn, të cilët dje kanë punuar me grupin. Po kështu, trajneri ka punuar gjatë me formacionin që ideon të hedhë në fushë ndaj Skënderbeut. Me shumë mundësi si titullarë do të kthehen Torasa dhe Hoxhallari. Trajneri i bardhebluve edhe këtë herë po punon me një skemë 4-3-3.

Gjatë tri takimeve të para ka marrë pesë pikë, duke lënë në stol emra si Hasani, Doka, Karabeci, Kërçiku, Dunga e ndonjë tjetër i planifikuar për të luajtur titullar. Nga takimi me korçarët deri në derbi, Tirana luan tri ndeshje delikate për të ardhmen e skuadrës bardheblu që këtë sezon kërkon me çdo kusht që të fitojë titullin kampion, meqenëse është përvjetori i 100-të i klubit.

OLSI AVDIAJ 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"