Dëmtimi i ndali vrullin, Gjata: Mezi pres të luaj për Apoloninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 5, 2022 | 23:20

Dëmtimi i ndali vrullin, Gjata: Mezi pres të luaj për Apoloninë

Një mungesë e rëndësishme në pjesën e parë të fazës përgatitore të Apolonisë është Eljo Gjata. Një mbrojtës “polivalent”, por që është aktivizuar edhe në të dy krahët e mesfushës. 19- vjeçari nga Elbasani ka debutuar që para dy vitesh me Apoloninë në Superiore, ndërsa në Kategorinë e Parë luajti vetëm pak ndeshje.

Apolonia

Ishte i pafat për shkak të dëmtimit të rëndë që pësoi në gju dhe u detyrua ta mbyllte sezonin para kohe. Në një prononcim për “Panorama Sport”, mbrojtësi Gjata tregon se e ka lënë pas dëmtimin nga edicioni i fundit dhe shpreson të jetë gati sa më shpejt për sezonin e ri.

“Dëmtimi ka qenë shumë i vështirë për mua. U ndjeva shumë keq kur më duhej ta mbyllja sezonin para kohe dhe fatkeqësisht nuk arrita ta ndihmoj ekipin. Ishte si një ëndërr e keqe, sepse isha në kulmin e formës dhe po luaja titullar me Apoloninë. Gjendja aktuale është më e mirë, por më duhet edhe pak kohë që të rikuperohem plotësisht. Për momentin po stërvitem individualisht dhe nga java në javë po e rris intensitetin e stërvitjes.

Tashmë e rëndësishme për mua është që e kam kaluar atë problem dhe po përgatitem me një program specifik rikuperues. Sezoni i ri nis më 3 shtator dhe për fat të keq në ndeshjet e para nuk do të jem gati, por besoj nga mesi i fazës së parë rikuperohem plotësisht. Më ka munguar shumë fusha e blertë, por duhet të jem më i duruar se kurrë. Dua të rritem profesionalisht tek Apolonia dhe të jap maksimumin tim me fanellën bardhejeshile”, u shpreh mbrojtësi Gjata për gazetën.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"