Dëmtimet te Partizani, pushimi vjen si me porosi për “demat”. Lerda pritet ta ketë grupin të plotë ndaj Laçit

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Nëntor 12, 2019 | 22:15

Kategoria Superiore Partizani Të fundit

Dëmtimet te Partizani, pushimi vjen si me porosi për “demat”. Lerda pritet ta ketë grupin të plotë ndaj Laçit

Partizani humbi një mundësi arratisjeje në transfertën e Vlorës, por për trajnerin Franko Lerda në këtë moment renditja nuk ka asnjë rëndësi. 

partizani

Me diplomaci, italiani pohoi pas ndeshjes se peng i ka mbetur lënia e dy pikëve ndaj Flamurtarit, që indirekt i bie që pengu të ketë të bëjë edhe me mosthellimin e distancës me ndjekësit. Pas barazimit 1-1 në Vlorë, të kuqtë kanë fituar 3 ditë pushim, kjo për shkak të ndërprerjes së kampionatit për këtë fundjavë, pushim i cili vjen nga angazhimet e ekipeve kombëtare.

Për shumë arsye ndërprerja vjen si me porosi për “demat e kuq”, por më e leverdishmja ka të bëjë me kohën e mjaftueshme që do të kenë disa lojtarë që të rikuperohen. Ndaj Flamurtarit trajneri Lerda pati katër mungesa, të gjitha për arsye dëmtimesh dhe problemesh shëndetësore. Pushimi vjen si me porosi, kryesisht për sulmuesin Theofilus Solomon, i cili për shkak të një problemi muskulor në kofshë ka munguar në katër ndeshjet e fundit, Nigeriani e ka kaluar problemin dhe në ditët e fundit ka nisur fazën rikuperuese në terren.

partizanii

Nëse riaftësimi i sulmuesit ecën sipas parashikimeve, i bie që trajneri Lerda ta ketë në dispozicion Solomon për ndeshjen e radhës, ku fundjavën tjetër presin Laçin në kryeqytet. Kjo ndërprerje do t’i shërbejë edhe Jozef Ekubanit, Kristi Kotes dhe Esin Hakajt që të kenë kohën e duhur për t’u riaftësuar dhe për të qenë pjesë e skuadrës për ndeshjen e javës së 13-të. Për Laçin shpresohet që grupi të jetë më i plotë, pasi nuk ka të pezulluar dhe të dëmtuarit parashikohet të riaftësohen në kohë.

Lutja e vetme mbetet që lojtarët e grumbulluar me ekipet kombëtare, Alban Hoxha, Lorenc Trashi, Esat Mala dhe Livjo Malaj, të kthehen pa probleme pas grumbullimeve me kuqezinjtë. Plotësimi i grupit ka të mirën dhe “të keqen” brenda për trajnerin Lerda, pasi me shtimin e alternativave shtohen edhe “dhimbjet e kokës” për përzgjedhjen e formacionit, aq më shumë që Solomon është konsideruar si pikë referuese në majë të sulmit.

ILIR CARA




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com