Dëmtimet “pushtojnë” Erzenin, por Kapllani pret triumfin ndaj Egnatias

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 10, 2023 | 11:26

Dëmtimet “pushtojnë” Erzenin, por Kapllani pret triumfin ndaj Egnatias

Në kuadër të javës së 25-të, sot në orën 16:00 në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, Erzeni sfidon Egnatian.

erzeni

Ky takim pritet me mjaft entuziazëm nga qytetarët futbolldashës të Shijakut. Dje Erzeni ka kryer përgatitjet e fundit në urdhrat e dyshes Kapllani Deliallisi, të cilët e kanë mbajtur ekipin në “shina” gjatë këtij edicioni, duke bërë surprizën më të këndshme të Superiores. Lojtarët e Erzenit duan të rikthehen te fitorja, pasi vetëm kështu do të jenë më të qetë për objektivin mbijetesë. Mirëpo, duhet thënë se javët e fundit kanë qenë të mbushura me dëmtimet në skuadër dhe “Panorama Sport” mëson nga burime në klub, se para ndeshjes me rrogozhinasit, Erzeni ka humbur një tjetër lojtar për shkak dëmtimi.

Bëhet fjalë për mbrojtësin Enk de Soza, i cili ka qenë një shtyllë e prapavijës shijakase deri më tani, por që u largua ndaj Bylisit vetëm pak para përfundimit të pjesës së parë. E njëjta gjë edhe me bashkëkombësin e tij, Leao, i cili gjithashtu është i dëmtuar dhe kërkon kohë të riaftësohet. Mungesë tjetër do të jetë ajo e Reinaldo Troplinit, i dënuar me 3 ndeshje nga Komisioni i Disiplinës pas kartonit të kuq, të marrë në Ballsh. Megjithatë, përtej këtyre dëmtimeve, pritet rikthimi dhe aktivizimi i disa lojtarëve të tjerë si Sadiki, Krasniqi, Kadriu apo Ademi, që ka lënë pas pezullimin. Blerjet e janarit ende nuk kanë provuar të bëjnë diferencën në skuadër, por Kapllani beson te një vazhdimësi më e mirë.

RONALD FAJA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"