Dëmtimet problem te Partizani, të kuqtë kthejnë në portë… Bozhiqin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 20, 2020 | 20:34

Dëmtimet problem te Partizani, të kuqtë kthejnë në portë… Bozhiqin

Partizani i Ilir Dajës e nis javën nga Elbasani, me ekipin që kreu seancën stërvitore në kompleksin “Pepa”. Të kuqtë ishin thuajse të plotë, teksa mungesa e vetme ishte ajo e sulmuesit Theofilus Solomon, ndërsa rikthehet në stërvitje mesfushori Esat Mala, i cili, me sa duket, ka lënë pas problemet me dëmtimin. Në përgjithësi situata u paraqit pozitive në kampin e kuq, për më tepër që e nisnin javën pas një fitoreje ndaj Teutës në miqësore gjatë fundjavës.

121976010_809800253117980_5731273430933610105_n 

Të kuqtë me Dajën duket sikur e kanë gjithnjë një zgjidhje edhe kur ndodhin të papritura, duke u mësuar edhe me mungesën e alternativave në skuadër. Shpresat ishin që java të niste në funksion të fillimit të sezonit, por dilemat për të startuar këtë fundjavë janë të mëdha.

USHTRIMET – Duke ditur limitet e skuadrës së tij, që nuk ka pasur mundësi të bëjë përforcime nga bllokimi i merkatos, trajneri Daja kërkon nga të gjithë që të bëjnë gjithçka në terrenin stërvitor. Të paktën, kjo u la të kuptohej në ushtrimet që bëhen gjatë seancave stërvitore. Fillimisht, Daja lë në pozicionet natyrale mbrojtësit përballë sulmuesve, ndërsa më pas u ndryshon rolet. Kjo, për të thënë që mbrojmë të gjithë dhe sulmojmë të gjithë, duke u varur nga situatat që të dalin në një ndeshje futbolli. Duke qenë se i mungojnë alternativat në skuadër, tekniku mundohet t’i dublojë rolet me atë pak kontigjent që ka në dispozicion ose më qartë me grupin e futbollistëve që ka trashëguar nga sezoni i fundit, ku Partizani nuk siguroi as përfaqësimin në Kupat e Europës.

reja bozhiqi salihi bulku

RIKTHEHET BOZHIQI – Trajneri Daja nuk i kishte bërë mirë llogaritë me portierët për seancën stërvitore të pasdites, pasi në dispozicion kishte vetëm dy “gardianë”, Alban Hoxhën dhe Aldo Teqen. Mirëpo, gjatë një ndeshjeje brenda grupit, dëmtohet Teqja, aq sa nuk mund të vazhdojë më lojën. Portieri pësoi një goditje në këmbë, por shpresohet të mos ketë një dëmtim serioz, duke qenë se e la lojën përgjysmë.

Në mungesë të një portieri rezervë, dorezat i “vesh” trajneri i portierëve, Ilir Bozhiqi, edhe pas kërkesës së Ilir Dajës, pasi nuk kishte kujt t’ia besonte katërkëndëshin. Kështu ndodh dhe Bozhiqi mbrojti me fanatizëm portën, pasi nuk pësoi asnjë gol. Megjithatë, pasi qëndroi për disa minuta, ia dorëzoi stafetën zv.trajnerit tjetër, Artim Pollozhanit, me këtë të fundit që thuajse në çdo seancë stërvitore merr pjesë edhe si një lojtar, sa herë që skuadra ka nevojë. Me pak fjalë, për hir te stërvitjes dhe mosprishjes së ekuilibrave në fushë, Daja e gjen zgjidhjen brenda… stafit.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"