Dëmtime në masë te Apolonia, trajneri italian ka dilema për formacionin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 23, 2020 | 17:48

Dëmtime në masë te Apolonia, trajneri italian ka dilema për formacionin

Fitorja 1-2 në miqësoren me Turbinën ka shfaqur një lojë në rritje për Apoloninë e Fierit. Skuadra po funksionon më mirë dhe po shkon drejt përmbushjes së plotë të kërkesave të trajnerit Xhovani Kolela. Ekipi ka më shumë lëvizshmëri në fushë, e qarkullon topin më mirë dhe krijon volum loje dhe rastesh. Edhe pse përballë ka pasur një skuadër të Kategorisë së Parë, treguesit tekniko-taktikë të Apolonisë kanë qenë pozitivë. Interes në testimin e Cërrikut ka pasur paraqitja e qendërmbrojtësit Agyare dhe mesfushorit Jeboah.
apolonia
Dy ganezët kanë ardhur të shtunën në Shqipëri dhe janë aktivizuar për herë të parë me fanellën e Apolonisë, madje si titullar. Agyare dhe Jeboah kanë ende probleme fizike, ndërsa në aspektin tekniko-taktik përvoja do t’i ndihmojë të përshtaten brenda grupit fierak. Njëherësh, sinjale pozitive në këtë ndeshje kanë ardhur nga sulmuesi Bernard Artur, i cili ka zhvilluar një lojë përgjithësisht të mirë, madje ka shënuar edhe golin e fitores për Apoloninë. Prurjet e kësaj vere, si dhe ardhja e 3 ganezëve e kanë qetësuar disi stafin teknik, por rritja e konkurrencës ka shtuar dhimbjet e kokës për trajnerin Kolela, i cili ende nuk e ka fiksuar formacionin titullar të skuadrës. Në miqësoren ndaj Turbinës, italiani i pankinës fierake ka aktivizuar në formacionin titullar 6 lojtarë të ardhur gjatë kësaj vere: Agyare, Repaj, Ndraxhi, Jeboah, Haxhiu dhe Artur.

TË DËMTUAR – Janë plot 6 futbollistë që vuajnë dëmtime të ndryshme tek Apolonia. Kështu, veç Dudës, që po vazhdon seancat e terapisë pas operacionit, portieri Çako ka pësuar tërheqje muskulore, Andoni ka pësuar një dëmtim në gju, që do ta mbajë larg fushës disa kohë, Smaçi po kryen stërvitje individuale pas një dëmtimi që ka pasur në këmbë, ndërsa Krasniqi ka pasur një dëmtim të jashtëm të shputës së këmbës dhe kthehet pas dy javësh. Më të lehta kanë qenë problemet për Zaimajn, i cili ka pasur disa shqetësime fizike, por shpejt do t’i bashkohet grupit.

REPAJ – Serjan Repaj, vetëm 20 vjeç, është prodhim i shkollës së njohur të futbollit shkodran. Ai ka zgjedhur që karrierën e tij ta vazhdojë në Fier, tek Apolonia. “Tek Apolonia ndihem mirë dhe besoj se kam zgjedhur skuadrën e duhur. Është një ekip përgjithësisht me lojtarë të rinj, por me shumë ambicie. Jemi optimistë që do të bëjmë një kampionat pozitiv dhe unë do të përpiqem të jap më të mirën time, për të justifikuar besimin që stafi teknik dhe drejtuesit kanë tek unë”, thotë shkodrani 20-vjeçar i Apolonisë, Serjan Repaj.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"