Dëmtime në masë, Luftëtari kërkon ta mbyllë me… pikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 28, 2020 | 22:23

Dëmtime në masë, Luftëtari kërkon ta mbyllë me… pikë

Luftëtari luan nesër 90 minutat e fundit në Kategorinë Superiore, pasi duke filluar nga sezoni i ri, do të jetë pjesë e Kategorisë së Parë. Megjithatë, në ndeshjen ndaj Kukësit, gjirokastritët duan të lënë pas zhgënjimin e nëntë humbjeve radhazi në kampionat, që prej rifillimit të garës pas ndërprerjes.

Luftetari 2 maska

Të besuarit e trajnerit Neritan Novi startuan dje në orën 18:30 përgatitjet për sfidën me Kukësin, ku shpresojnë që ta mbyllin me pikë në Gjirokastër këtë kampionat zhgënjyes. Në seancën e djeshme binin në sy mungesat e Erald Hysenit, Enes Isufit dhe Amer Dukës. “Panorama Sport” mësoi se mesfushori Hyseni ka probleme në rrëzat e kofshëve dhe ka nisur terapinë prej disa ditësh, teksa ashtu si në Ballsh, pritet të mungojë edhe në këtë takim të fundit. Nga ana tjetër, shkodrani Isufi e ka mbyllur sezonin pas dëmtimit në klavikulë gjatë ndeshjes me Skënderbeun.

Ndërsa një tjetër mungesë për Luftëtarin do të jetë qendërmbrojtësi durrsak, Duka, i cili u dëmtua në transfertën e Bylisit, duke pësuar tërheqje muskulore. Në ndryshim me seancat e mëparshme, trajneri Novi ka zgjedhur fushën e stadiumit “Gjirokastra” si terrenin e duhur për t’u përgatitur sa më mirë. Sikundër ndodh zakonisht pas çdo ndeshjeje, Novi është ndalur te humbja me Bylisin, duke komplimentuar lojtarët për lojën. “Të mbyllim me rezultat pozitiv ndeshjen me Kukësin për të harruar humbjen e pamerituar në Ballsh dhe këtë sezon.

E patë vetë në ndeshjen ndaj Bylisit sa e rëndësishme është disiplina taktike. Këtë gjë kërkoj nga ju edhe ndaj Kukësit. Ta mbyllim mirë kampionatin”, mësohet se u ka thënë Novi të tijve para seancës së të hënës pasdite. Ndërkohë, në dy ndeshjet e fundit, për trajnerin bluzi ka qenë i gatshëm edhe kapiteni Aurel Demo, i cili e ka lënë pas dëmtimin në gju. Mbrojtësi mori minuta ndaj Skënderbeut, ndërsa në Ballsh nuk u aktivizua. Gjasat janë që të rikthehet titullar pikërisht në sfidën që mbyll sezonin.

TOMOR SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"