Dëmtim në kofshë, sulmuesi mban pezull formacionin e Teutës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 29, 2021 | 8:40

Dëmtim në kofshë, sulmuesi mban pezull formacionin e Teutës

Kevin Koubemba mban në ankth durrsakët para përballjes me Kastriotin, takim i vlefshëm për javën e 7-të të Superiores. Nëse deri të martën stafi teknik i Teutës për herë të parë ishte i qetë, pasi grupi i lojtarëve ishte thuajse i gjithi në dispozicion për sfidën e radhës, nuk ka ndodhur kështu një ditë më pas.

KOUBEMBA

Sulmuesi Koubemba ka pësuar një lëndim në kofshë gjatë stërvitje, duke vënë në dyshim prezencën në ndeshjen me krutanët. Ekzaminimet do të nxjerrin nëse sulmuesi do të jetë i gatshëm apo jo për të dielën.

Koubemba ka luajtur 414 minuta këtë sezon me fanellën e Teutës, duke u aktivizuar në të gjashta ndeshjet, madje ka arritur të shënojë dhe dy gola. Mungesa e mundshme e tij ndaj Kastriotit ia prish planet për sulmin trajnerit Martini.

PËRGATITJET – Teuta do të luajë të dielën kundër Kastriotit, një sfidë e lehtë në letër për kampionët. Por më shumë shikohet si një ndeshje ku kërkohet vazhdimësia e “djemve të detit”, pasi pritej më shumë nga ekipi në startin e sezonit të ri. Kampionët e Shqipërisë deri më tani kanë marrë 11 pikë nga 18 të mundshme dhe janë në rrugën e duhur për të mbrojtur kurorën e titullit.

Ndaj, përballja me Kastriotin është vlerësuar në maksimum dhe te Teuta po vazhdojnë përgatitjet intensive për të marrë maksimumin në këtë takim të javës së shtatë. Fitorja në Rrogozhinë ndaj Egnatias ka rikthyer qetësinë, pasi humbja me Tiranën nuk u përjetua mirë. Stërvitja e djeshme e Teutës u fokusua te kondicioni fizik, pa lënë pjesën tekniko-taktike.

Të gjithë futbollistët ishin nën urdhrat e Martinit, ku vlen të theksohet se skuadrës i është bashkëngjitur edhe Hektor Idrizaj, i cili gjatë javës ka punuar veçmas grupit nën kujdesin e stafit mjekësor. Mbrojtësi vlonjat ka lënë pas dëmtimin dhe do të jetë i gatshëm. Në mesin e seancës së djeshme trajneri Martini nisi të punonte për vendosjen e lojtarëve në fushë.

Trajneri nuk ndalej së foluri dhe udhëzuari lojtarët, të cilët i ndau në dy grupe dhe organizoi një ndeshje kontrolli në gjysmëfushë. Minindeshja pati rivalitet të madh, ndërsa më pas lojtarët nisën të bënin goditje në portë, të ndarë në grupe të vogla.

Todorovski dhe Kotobelli u shfaqën si ekzekutues të goditjeve nga këndi për t’u shërbyer sulmuesve të ekipit, si Gjorgiev, Gruda, Plaku dhe L.Vila. Deri më tani faza sulmuese e ekipit ka funksionuar, me 8 gola në gjashtë javë.

Në krahasim me sezonin e kaluar, shifrat flasin për një sulm më të mirë këtë vit, të paktën deri më tani. Martini ka nisur t’i besojë më tepër majën e sulmit Koubembës, por Gjeorgiev është gati për një fanellë titullari.

FORMACIONI – Me Koubembën në dyshim i bie që trajneri Martini nuk e ka të plotë grupin. Nëse sulmuesi afrikan nuk ia del që të rikuperohet në kohë i bie që te Teuta të rikthehet titullar Lorenco Vila, por edhe Gruda mund ta nisë nga minuta e parë. Sa i përket formacionit të mundshëm për Kastriotin, i bie që porta të jetë në “pronësi” të Qirkos.

Mbrojtja pritet të përbëhet nga katërshja Todorovski, Selmani-IvanoviçXhekson. Në mesfushë pritet treshja Aleksi-Daja-E.Vila. Dilemat mbeten në sulm, por Kallaku do të vijojë në “regji” për të ndihmuar Plakun dhe një mes Koubembës, Gjorgievit, Grudës dhe Lorenco Vilës.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"