Dëmtim i rëndë në ligamentet e gjurit, titullari i Skënderbeut mbyll sezonin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 23, 2020 | 23:54

Dëmtim i rëndë në ligamentet e gjurit, titullari i Skënderbeut mbyll sezonin

Jorgo Meksi mbyll sezonin dhe hap një gropë të mad he në krahun e djathtë të mbrojtjes së Skënderbeut. Futbollisti korçar i Skënderbeut ka pësuar një dëmtim të ligamentit të kryqëzuar të gjurit të majtë. Pas kontrolleve mjekësore në një klinikë private në kryeqytet ka rezultuar se dëmtimi është serioz dhe kërkon një kohë të gjatë rikuperimi.

Jorgo Meksi demtimi

MUNGESA – Në bazë të të dhënave paraprake, sikundër bëhet me dije, Meksi do të jetë të paktën një muaj larg fushave por burimet pranë klubit flasin për një kohë më të gjatë rikuperimi. Ajo që është më e rëndësishme në këtë moment qëndron te fakti se rikuperimi i lojtarit nuk ka nevojë domosdoshmërisht ndërhyrjen kirurgjikale por mund të riaftësohet përmes terapive. Një lajm i mirë ky pasi në rast operacioni, koha e rikuperimit do të ishte shumë më e gjatë.

jorgo meksi

Është për të ardhur keq pasi Jogro Meksi ndalon pikërisht në momentin më të mirë të formës së tij fizike. Pikërisht atëherë kur lojtari ishte kthyer në një pikë të fortë dhe mjaft decizive për ekipin bardhekuq. Ndërhyrja e Ndrecës ishte aq e rëndë dhe makabre sa lojtari la menjëherë fushën e lojës. E për më tepër sikur të mos mjaftonte kjo, kryesori i takimit nuk e ndëshkoi as me karton.

RIKUPERIMI – Tashmë Meksi pritet që të fillojë terapinë prej ditës së sotme e më pas të ingranohet sërish me grupin në momentin që do të jetë gati. Por me shumë mundësi bashkimi me ekipin nën urdhrat e trajnerit do të jetë për sezonin e ri.

Jorgo Meksi me paterica

PROBLEMET – Dëmtimi i Meksit dukshëm sjell mërzi në radhët e bardhekuqve. Sidomos për trajnerin Ilir Daja të cilit i duhet të përballet me një problem mjaft të madh në linjën e djathtë të mbrojtjes. Me dëmtimin e Meksit, Skënderbeu e gjen veten pa asnjë lojtar eficient në krahun e djathtë të mbrojtjes teksa tashmë i duhet të eksperimentojë në këtë pozicion deri në përfundimin e sezonit.

Skenderbeu festa e golit

Në dispozicion të trajnerit Ilir Daja nuk figuron asnjë mbrojtës i djathtë në rol natyral. Tashmë i përballur me këtë situatë trajneri bardhekuq duhet të përshtatet. Njëri mes Bruno Ditës dhe Asion Dajës do të duhet të përshtatet me rolin e ri për të mbuluar mungesën e Meksit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"