“Dëmtim i çuditshëm me Teutën”, Shkurtaj: Do t’ia dalim me Tiranën dhe në Kupë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 5, 2020 | 11:06

“Dëmtim i çuditshëm me Teutën”, Shkurtaj: Do t’ia dalim me Tiranën dhe në Kupë

Vasil Shkurtaj doli pas vetëm dy minutash lojë në ndeshjen për Kupë ndaj Teutës të enjten në “Elbasan Arena”. Golashënuesi më i mirë i kampionatit, me 20 gola deri më tani, pësoi një tërheqje muskulore në kofshën e djathtë dhe tronditi Kukësin në momentin më delikat të sezonit. I kontaktuar nga “Panorama Sport”, bomberi i verilindorëve tregoi ekskluzivisht momentin e dëmtimit, që ai e cilëson si shumë të çuditshëm, që nuk i ka ndodhur asnjëherë më parë.
Shkurtaj

“Isha duke bërë vrapim të lehtë dhe pësova tërheqje. Nuk arrij ta kuptoj dot, sepse më ndodhi në atë mënyrë, sepse nuk isha as në sprint dhe as në ndonjë moment shtrëngimi. Madje edhe gjatë nxehmjes apo në përdorim me topin, nuk kam pasur asnjë lloj problemi. Nuk arrij ta kuptoj dot këtë që më ndodhi”, tregon i dëshpëruar sulmuesi.
Shkurtaj
SITUATA – Shkurtaj bëri një kontroll të specializuar, në mënyrë që të mësojë për shkallën e dëmtimit ose më saktë se në çfarë grade është tërheqja që pësoi dhe sa shanse ka të rikuperohet pa u mbyllur sezoni. Sot bomberi do të marrë një përgjigje konkrete, duke shpresuar se mund ta ndihmojë skuadrën në disa ndeshje. “Më vjen me të vërtetë shumë keq, sepse sapo kisha rinovuar shtesën e kontratës dhe dëshira ime e madhe ishte të ndihmoja skuadrën në këtë fazë delikate. Ky ishte dhe është synimi im i madh. Kam kryer ekografinë dhe do bëj vizitat përkatëse, nga ku shpresoj shumë që të kem thjesht një tërheqje të gradës së parë. Do punoj shumë fort dhe do bëj gjithçka që mundem që të rikthehem sa më parë për të ndihmuar ekipin. Tashmë në futboll njihen dhe dëmtimet, ndonjëherë apo shpeshherë është çështje fati. Unë u dëmtova në një moment që isha në formë mjaft të mirë. Gjithsesi, unë kam besim te trajneri dhe shokët e ekipit. Nuk më mbetet gjë tjetër, por do bëj tifo gjatë këtyre ditëve që nuk do jem në fushë për ekipin, duke i ndihmuar sadopak në aspektin moral. Shpresoj që të jem në fushë sa më shpejt dhe të arrijmë objektivat”, theksoi sulmuesi.
shkurtaj
NDESHJET – Në fund, Shkurtaj bëri një koment edhe për ndeshjet që e presin Kukësin, teksa të hënën luhet supersfida me Tiranën. “Sa i përket përballjes me Teutën, kam besim shumë se shokët se do të dinë ta kapërcejnë këtë pengesë në Kupë. E njëjta gjë vlen dhe për takimin kundër Tiranës në kampionat. Kemi një skuadër me elementë cilësorë, djem me shumë karakter dhe të lidhur me njëri-tjetrin. Unë kam bindje se do arrijmë sukseset e nevojshme”, përfundoi autori i 20 golave.

SKERDILAID SULOZEQI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"