Demo premton Superioren për 100-vjetorin e Tomorit, kryebashkiaku tregon planet për ringritjen e ekipit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 28, 2019 | 19:16

Demo premton Superioren për 100-vjetorin e Tomorit, kryebashkiaku tregon planet për ringritjen e ekipit

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, kryebashkiaku i Beratit, Ervin Demo, njëkohësisht edhe president i Tomorit, ka zbuluar platformën e institucionit që ai drejton për rimëkëmbjen e futbollit beratas. Sipas tij, 100-vjetori i themelimit do ta gjejë Tomorin në Superiore.

demo

Presidenti Demo flet edhe për çështje të tjera të futbollit beratas, për problematikën e infrastrukturës dhe afrimin e një sponsori të ri pranë skuadrës në muajin janar, që do të ndikonin në rritjen e cilësisë.

Z. Demo, keni pasur më parë raporte me sportin në përgjithësi dhe futbollin në veçanti?

Sporti ka qenë bashkudhëtar në jetën time, më ka dhënë frymëzim apo më ka plotësuar në momente të veçanta. Jam rritur në lagjen ku brenda saj janë dy fushat e futbollit të dy stadiumeve të qytetit tonë, shkollën e futbollit “1 Maji”, si dhe kompleksin e fushave të lojërave me dorë. Për mua ka qenë Tomori brenda vendit, por edhe futbolli italian, si të thuash, “dashuria e parë”. Jam tifoz i “thekur” i Milanit.

Le të futemi në temë. Para pak ditësh, është miratuar buxheti i vitit 2020. A mjaftojnë 250 milionë lekë për objektivin e Tomorit?

Flasim pa “doreza”, shuma e 250 milionë lekëve të vjetër i plotëson nevojat e ekipit të futbollit dhe jep siguri për arritjen e objektivit të Tomorit për këtë sezon. Jam i kënaqur që Këshilli Bashkiak e ka miratuar unanimisht shumën në fjalë, që ishte propozuar nga grupi i punës. Jam vazhdimisht i interesuar për futbollin dhe të ardhmen e tij, ku krahas shumës në fjalë, Tomori do të ketë edhe mbështetjen e biznesmenëve të njohur beratas, pasi si drejtues, kemi punuar edhe në këtë drejtim.

demo tomoro

Ka diçka konkrete për afrimin e ndonjë sponsori të ri? 

Mund të garantoj skuadrën, stafin teknik dhe tifozët beratas se po punojmë shumë për të shtuar mbështetjen financiare. Për momentin jemi të fokusuar te donacionet që po japin biznesmenë të ndryshëm për skuadrën. Po përpiqemi të afrojmë edhe biznesmenë jashtë Beratit, njerëz që e çmojnë Tomorin. Premtoj se në janar do të kemi zhvillime konkrete, sponsor të jashtëm që do të fuqizojnë mbështetjen financiare.

Cili është vizioni juaj për perspektivën e futbollit beratas, si e mendoni rikthimin e Tomorit në nivelin e traditës së tij? 

Do të zbuloj vetëm disa detaje që kanë interes për lexuesin tuaj dhe gjithë beratasit. Kam një projekt për rikthimin e Tomorit në vendin që meriton, sipas traditës dhe historisë. Fillimisht do ta rikthejmë skuadrën në Kategorinë e Parë, më pas do të mendojmë për konsolidimin e saj në këtë kategori për të paktën një sezon dhe sezonin pasardhës, që përkon me 100-vjetorin e themelimit, do ta rikthejmë Tomorin në Superiore. Pra, për 2-3 sezone rikthehemi në elitën e futbollit shqiptar. Gjatë kësaj periudhe, do të synojmë afrimin e një sponsori gjeneral dhe kthimin e klubit në shoqëri aksionere, ku një pjesë e aksioneve t’u përkasin sportdashësve si një model europian, si Barcelona. Ringritja e Tomorit kërkon durim dhe baza profesionale.

Tomori gol

Po për infrastrukturën sportive në Berat, ka një projekt?

Cili do të jetë fati i fushës së stadiumit të vjetër? Për mua është një problem i njohur. Problemet në infrastrukturë i kemi të trashëguara dhe po punojmë për zgjidhjen e krizës. Po punojmë për ndërtimin e një kompleksi modern sportiv. Kemi bashkëpunim të ngushtë me FSHFnë, sepse duam t’i japim Beratit mundësinë e një zhvillimi në parametrat bashkëkohorë, për të mos mbetur peng i një fushe.

Jeni i kënaqur nga ecuria e skuadrës në gjysmën e parë të kampionatit?

Nuk e fsheh kënaqësinë për paraqitjen e deritanishme, është mbresëlënëse dhe kam arsye të jem i lumtur për kapërcimin e vështirësive. Në fillim, skuadra kishte shumë probleme, kishte skepticizëm që u shtua nga dorëheqja e papritur e ish-trajnerit Marjol Miho, të cilit i kisha dhënë kompetenca dhe liri të plotë. Falë një organizimi efikas me frymë grupi dhe njerëz të përkushtuar, ia kemi dalë me 8 fitore radhazi dhe jemi në vend të parë. Falënderoj skuadrën, drejtuesit e klubit dhe stafin teknik, me në krye Kristaq Milen, të cilin e çmoj për përkushtimin dhe seriozitetin që përcjell te futbollistët. Për mua meriton notën 10.

Sa të rëndësishëm e konsideroni qëndrimin pranë skuadrës, si president i saj? 

Mbështetja ime e deritanishme ka qenë e dukshme. Në ndeshjet zyrtare dhe stërvitje, e kam vizituar skuadrën disa herë. Tomori ka nevojë për mbështetje dhe unë nuk do t’i mungoj asnjëherë. Kemi një mision të përbashkët, ringritjen e skuadrës deri në Superiore.

EDI SPAHIU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"