Demiraj jep garanci: Apolonia do t’ju bindë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 30, 2017 | 20:42

Demiraj jep garanci: Apolonia do t’ju bindë

Humbja në ndeshjen e fundit miqësore ndaj Shënkollit nuk e ka shqetësuar shumë trajnerin Elidon Demiraj, i cili, në një intervistë për “Panorama Sport”, shprehet i bindur se skuadra e tij do t’i arrijë objektivat sezonalë. Ai thekson se takimet testuese i kanë shërbyer për të parë gjendjen e lojtarëve, sidomos atyre të rinj që kanë ardhur nga akademia.

Elidon Demiraj

Keni pësuar një tjetër humbje në miqësoren ndaj Shënkollit…

Ishte vetëm një ndeshje miqësore, ku, përtej rezultatit, e rëndësishme për ne ishte të shikonim gjendjen e skuadrës në përgjithësi dhe formën e lojtarëve në veçanti. Në këtë miqësore aktivizuam disa futbollistë të rinj që nuk kanë gjetur hapësirat e duhura në ndeshjet e kampionatit. Në këtë ndeshje na ka penalizuar shumë edhe terreni i papërshtatshëm dhe lojtarët janë ruajtur disi që të mos pësonin dëmtime.

Ç’mund të na thoni për gjendjen e ekipit, një javë para fillimit të kampionatit?

Në përgjithësi bëmë një paraqitje të mirë dhe unë jam i kënaqur nga loja e skuadrës dhe forma sportive që treguan lojtarët tanë.

U arrit qëllimi për të cilin u luajt kjo ndeshje testuese?

Mendojmë se po. E them këtë se aktivizuam të gjithë kontingjentin e futbollistëve që kishim në dispozicion për të krijuar një mendim më të qartë për disa prej tyre për lojën dhe nivelin, pasi vijnë nga ekipet e akademisë. Ndërkohë krijuam dhe një mendim më të plotë për formacionin që do të hedhim në fushë në ndeshjen e së shtunës për kampionat, ku do të luajmë në transfertë me Turbinën.

Si e vlerësoni skuadrën tuaj në krahasim me atë të gjysmës së parë të kampionatit?

Më të fortë, më të konsoliduar e të harmonizuar. Një ekip që është rritur në lojën e tij si rezultat i punës intensive të kryer në këtë periudhë përgatitore. Por edhe përvojës që kanë fituar lojtarët tanë, shumica në moshë të re. Këto na bëjnë që të besojmë se Apolonia do të jetë shumë më e suksesshme në të ardhmen.

Cili është vlerësimi juaj për ndeshjet që ekipi do të luajë në vazhdim?

Të vështira e të forta, me më shumë luftë sportive e rivalitet, pasi të gjitha ekipet do të kërkojnë të arrijnë objektivat e tyre, ndërkohë që kanë bërë edhe përforcime në merkaton e kësaj periudhe.

Nuk kishte nevojë skuadra juaj për përforcime gjatë merkatos, pasi qëndruat disi në heshtje sa i takon këtij aspekti?

Nuk mund ta themi këtë gjë, pasi e mira s’ka fund edhe pse kemi një ekip të konsoliduar. Megjithatë, e vërteta është që edhe pse punuam shumë në këtë drejtim nuk arritëm të afronim lojtarët që donim. Kjo edhe për shkak të vështirësisë së merkatos në këtë periudhë. Por mendoj se gjërat do të ecin mirë dhe do të arrijmë të realizojmë objektivin për të qenë midis ekipeve më të mira të grupit që do të luftojnë për t’u ngjitur në Superiore. Nga nesër (sot) do të fillojmë punën për t’u përgatitur për ndeshjen e radhës ndaj Turbinës, që do ta luajmë në transfertë nga ku do të synojmë të arrijmë një rezultat pozitiv.

Organika

Që një sezon më parë drejtuesit e Apolonisë vendosën që të praktikojnë një strategji të re në klubin e tyre. Ata u kanë besuar më shumë lojtarëve të rinj në moshë që vijnë nga akademia vendase, por edhe ekipe të tjera. Gjithashtu edhe merkato në muajt e verës është zhvilluar në këtë drejtim. Objektivi i ekipit këtë sezon është renditja mes ekipeve më të mira të grupit.

MIKEL MBRIÇAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"