Demiraj e ka gati “kurthin” për Lushnjën: Nuk kemi presion

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 25, 2017 | 11:00

Demiraj e ka gati “kurthin” për Lushnjën: Nuk kemi presion

Apolonia u dha dje dorën e fundit përgatitjeve për “derbin” që do të luajë sot me Lushnjën. Në këtë sfidë sa të rëndësishme aq edhe jetike për vazhdimësinë, fierakët thonë se kanë marrë të gjitha masat e nevojshme për ta mposhtur kundërshtarin. Apolonia vjen në këtë përballje pas fitores 3-1 të arritur ndaj Elbasanit në transfertë, çka ka rritur adrenalinën e lojtarëve dhe ka shtuar besimin për arritjen e suksesit.

Trajneri Elidon Demiraj është optimist dhe beson te skuadra që drejton dhe te lojtarët e tij që do të dinë të japin më të mirën e mundshme në fushën e lojës.

Demiraj, trajneri i Apolonise

Demiraj, si ndiheni përpara “derbit” me Lushnjën?

Është një ndeshje e vështirë, por tepër e rëndësishme dhe jetike për ne, për vazhdimësinë e arritjen e synimeve sezonale që kemi. Kjo na bën që ta respektojmë dhe ta vlerë- sojmë kundërshtarin, por ndërkohë na shton përgjegjësinë e na motivon për të qenë sa më të kujdesshëm.

Cili do të jetë objektivi, duke qenë se luani me ekipin kryesues të grupit që ende nuk ka pësuar asnjë humbje këtë sezon?

Skuadra është në gjendje të mirë në çdo aspekt dhe lojtarët kanë një formë optimale sportive. Apolonia ashtu si në çdo takim do të futet në fushën e lojës për fitore, pavarësisht kundërshtarit që kemi përballë. Kemi punuar shumë gjatë gjithë javës për të rikuperuar ndonjë boshllëk që ekipi ka treguar në ndeshjet e mëparshme dhe mendoj se ia kemi arritur.

Në ndeshjen e fazës së parë në Lushnjë keni humbur. Sa do të ndikojë një gjë e tillë në ndeshjen e nesërme (sot)?

Aspak. Ai ishte një takim tjetër ku u luajt në një baraspeshë të plotë. Por, nuk duhet harruar edhe fakti tjetër që Apolonia e filloi kampionatin me një ekip të tjetërsuar pothuajse nga e para. Por, që nga ajo periudhë ekipi është tjetërsuar, është konsoliduar, harmonizuar dhe është më kompetitiv.

Rezultatet kanë lënë për të dëshiruar pas rifillimit të kampionatit. Pse kjo ecuri?

E thashë edhe më lart se kjo ka ardhur sa për mungesë të fatit, aq edhe për ndikim të faktorëve të tjerë që unë nuk dua t’i përmend. Megjithatë unë jam i bindur se do të vazhdojmë të marrim frytet e punës sonë ashtu si me Elbasanin në javën e kaluar.

Rezultatet e tjera përveç fitores janë të pranueshme nga ju?

Futbolli njeh tri rezultate, por nuk e mendoj asnjë rezultat tjetër veç fitores. Unë kam besim te skuadra që drejtoj dhe lojtarët e mi se do të japin edhe zemrën në fushën e lojës për të marrë maksimumin.

Është nën presion Apolonia në këtë ndeshje?

Jo, jo aspak. Skuadra ka qetësinë e nevojshme, ndërsa presionin ia kemi lënë kundërshtarit që do të vazhdojë rrugën e nisur për të ruajtur ose rritur diferencën e pikëve me ekipet që e ndjekin.

Apolonia formacioni

Trajneri ka një thirrje për tifozët, nuk u beson statistikave

Në intervistën e tij për “Panorama Sport” një ditë përpara “derbit” me Lushnjës, Demiraj, ndër të tjera ka bërë edhe një thirrje për tifozët fierakë: “Të jenë sa më të shumtë në shkallët e stadiumit. Të inkurajojnë dhe të përkrahin fuqishëm skuadrën e tyre të zemrës pasi së bashku do ta kemi më të lehtë arritjen e triumfit ndaj kundërshtarit”.

Gjithashtu, tekniku ka folur edhe në lidhje me statistikat e fundit mes këtyre dy skuadrave si edhe për mungesën e mesfushorit Taulant Hysenshahaj: “Statistikat mbeten statistika. Por, kjo është ndeshje tjetër dhe ka specifikën e saj. Për sa i përket mungesës së Hysenshahajt, ai është një lojtar i rëndësishëm për ekipin tonë, ndërsa ka luajtur 1307 minuta dhe është aktivizuar në 15 ndeshje. Megjithatë, ne kemi shumë lojtarë në dispozicion”.

MIKEL MBRIÇAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"