Demir Imeri: I shënoj Laçit dhe kthejmë klimën pozitive te Egnatia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 17, 2021 | 20:51

Demir Imeri: I shënoj Laçit dhe kthejmë klimën pozitive te Egnatia

Në kampin rrogozhinas po mundohen që t’i harrojnë disfatat e fundit, ndaj e kanë kthyer vëmendjen te seanca e radhës ndaj Laçit në shtëpi. Që nga stafi, me në krye trajnerin Ramadani, dhe të gjithë lojtarët po punojnë fort që ekipi të bëjë kthesën e rezultateve. Gjatë seancave të deritanishme po vihet re që përqendrimi është maksimal dhe duket se optimizmi do të rikthehet në rezultat pozitiv.

demir imeri

Fitorja e fazës së parë në Laç, me golin e Pedros, mund të shërbejë si motivim i dyfishtë që edhe këtë herë Egnatia të triumfojë ndaj kurbinasve. Humbjet kanë qenë minimale dhe me gola të pësuar nga episodet, një detaj që stafi po punon shumë për ta riparuar. E njëjta gjë është dhe me sulmin që ka pasur shanse shënimi, por herë shënjestra e gabuar dhe herë fati, si kanë lejuar të festojnë. Ndaj, trajneri Ramadani ka punuar gjatë këtyre ditëve edhe në gjetjen e “recetës” së golit. Në një prononcim për “Panorama Sport”, futbollisti i Egnatias, Demir Imeri, pohoi se nuk i harron rastet e humbura me krutanët dhe shpreson që ndaj Laçit t’i jepet mundësia pse jo të jetë vendimtar duke shënuar.

“I kujtoj akoma ato momente që humba për të shënuar ndaj Kastriotit. Ashtu si çdo sulmues edhe unë mundohem të jem aktiv në fushë dhe të arrij të shënoj atëherë kur më krijohet mundësia. Nuk është se e mendoj shumë mënyrën e goditjes, mjafton që të përfundojë në kuadrat, me shpresën që të ‘përshëndesë’ rrjetën në fund. Mungesa e golit më ka munduar në të tri ndeshjet e fundit. Jam munduar që të vlerësoj edhe asistet, por kam qenë i pafat.

Ndonjëherë ka plot momente që gjërat nuk ecin brenda një sezoni, por duhet që besimi në vetvete e skuadër të mos humbasë. Është një moment i padëshiruar për këdo, pasi mungesa e pikëve ka bërë që të mos ngjitemi në renditje. Drejtuesit e klubit na kanë mbështetur kurdoherë dhe presin shumë nga ne. Një fitore me Laçin do na shërbente dhe si dhuratë për tifozët. Ata na kanë ndjekur kudo dhe meritojnë të festojnë çdoherë. I kemi zhgënjyer pak, por fatmirësisht mundësitë për të riparuar gabimet janë të shumta. Ndryshimi i trajnerëve s’ka ndikuar në skuadër, pasi ato janë vendime që i takojnë klubit. Na mbetet të jemi të saktë në përballjen e radhës që t’i rikthehemi rezultateve pozitive.

Çdo kundërshtar duhet të na vlerësojë. Fryma e grupit do të bëjë të mundur që Egnatia të renditet aty ku i takon. Periudha e mungesës së golit dhe ecuria e skuadrës ka ndikuar në anën psikologjike. Drejtuesve të klubit u jemi borxhlinj, ndaj u kemi premtuar se do të jemi efikas në vazhdim. Sa i përket ndeshjes me Laçin, nuk është se e paramendoj, por kam dëshirë të shënoj, si dhe të rikthehet klima e mirë në ekip. Bashkëpunimi i reparteve gjithmonë ka dhënë frytet e duhura dhe duke qenë se luajmë në fushën tonë, në një terren të mirë, duhet të tregojmë anët më të mira”, u shpreh Demir Imeri.

ALDO BUZI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"