Dembelë e frikacakë, ja 6 problemet e Lëvit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 2, 2014 | 19:51

Dembelë e frikacakë, ja 6 problemet e Lëvit

GjermaniaaaGjermania vuajti jashtëzakonisht për t’u kualifikuar në çerekfinale. Algjeria ia nxiu jetën në fushë, por fati dhe mungesa e inteligjencës para portës bëri që afrikanët të merrnin valixhet, duke mos mposhtur dot qetësinë dhe mentalitetin fitues të Gjermanisë. Por, Algjeria u nxori në pah dobësitë “pancerave”, duke filluar nga organizimi, përgatitja e dobët fizike dhe deri te dembelizmi në fushë. Ja 6 dobësitë e ekspertëve taktikë të “Eurosportit”.
1. Markimi algjerian Afrikano-veriorët u prishën gjermanëve ekuilibrat në lojën kombinative. Presingu i tyre ishte i saktë dhe drithërues. Algjerianët u treguan mjaft të zotë në mbulimin klasik kokë më kokë të gjermanëve. I vetmi lojtar që qëndroi i qetë, i pashqetësuar ishte Mertezaker, i cili u vlerësua si pika më e dobët e trajnerit boshnjak Vahid Halilhoxhiç. Qendërmbrojtësi i Arsenalit dha siguri, por nuk ndikoi në ndërtimin konstruktiv të lojës.
2. Superioritet fizik Nëpërmjet forcës dhe përgatitjes fizike, algjerianët copëtuan gjermanët. Sidomos Gëce dhe Ozil patën probleme serioze të mbanin topin. Edhe në dyluftimet në ajër afrikanët dominuan. Edhe nga goditjet standarde nuk gjetën dot hapësira depërtuese, pavarësisht prezencës së shtatlartëve Mertezaker, Hëvedes apo Boateng.
3. Gjermanët dembelë Lojtarët gjermanë janë specialistë për të gjetur hapësira boshe dhe lëvizur me shpejtësi edhe duke dribluar. Por, kjo cilësi është zbehur. Kundër Algjerisë ofensiva ishte mjaft e vakët në lëvizje. Ishin mjaft të ngathët dhe dembelë për të tërhequr nga vetja kundërshtarin, për të prishur balancat e algjerianëve. Çdo lojtar gjerman përpiqej të hiqte qafe topin, duke qëndruar në vend. Edhe mbyllja e aksioneve apo kundërsulmeve nuk kishte ritëm dhe temp të lartë.
4. Gjermania ua lejoi kundërsulmin dhe presingun Kemi kohë që nuk shohim një Gjermani kaq të ndjeshme dhe kaq të papërgatitur. Në pjesën e parë ata u dhanë shanse rivalëve të kundërsulmonin ashpër dhe bënin presing mjaft aktiv. Loja me topa të gjatë bëri që Gjermania të ishte mjaft e ndjeshme, aq sa i vinte në ndihmë stili modern i “libero” Nojer. Problemi i gjermanëve ishte se në lojën kombinative qëndronin shumë larg nga njëri-tjetrit dhe pas humbjes së topit algjerianët qenë të pakapshëm.
5. Vlerësim i dobët i shanseve Edhe pse vështirësitë ishin të mëdha, kjo s’do të thotë që Gjermania s’krijoi shanse për gol. Ndryshe nga herët e tjera, ata ishin të pasaktë dhe pa fantazi. Ata ngatërronin lojën e tyre. Në disa raste, në vend që të bënin lojë kombinative dhe prisnin asiste nga krahët, Kros & Co gjuanin shpesh nga distanca. Në shumë raste të tjera, ata dështuan edhe në gjuajtjet me kokë.
6. Gabime individuale Edhe për Gjermaninë ka ditë të këqija. Ata shtriheshin pa kriter, jepnin topin keq, gabonin në pasime, me përjashtim të Nojerit. “Makinat” e pasimeve Kros, Shvajni dhe Lahm ia lejuan vetes të bënin gabime, duke u dhënë terren depërtues algjerianëve. Në këtë formë, gjermanët nuk gjetën dot kurrë ritmin e duhur. I vetmi në formën super ishte Nojer, i cili nuk u ndëshkua nga boshllëku kolektiv duke larguar vetë kërcënimin. Ndaj Francës gjermanët duhet të jenë të guximshëm, nëse do të kenë frikë, atëherë do ta kenë të vështirë.
Përgatiti: ENIAR IBRO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"