“Demat” përmbysin Bylisin dhe kapin Skënderbeun, të kuqtë i falen sërish Sukajt

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2015 | 11:07

“Demat” përmbysin Bylisin dhe kapin Skënderbeun, të kuqtë i falen sërish Sukajt

partizani

BYLIS PARTIZANI 1-2
GOLAT:  Peposhi 7′ / Batha 9′, Sukaj 90′
BYLIS: Mushica, Haliti (Shoshi 46′), Diakite, Basriu, Simiç, Muçaj, Adenkule, Mbella (Ronhile 75′), Peposhi, Pepa (Papa 46′), Hoxhaj. Trajner: Mauro De Vekis
PARTIZANI: Hoxha, Fejzullahu, Bicaj, Krasniqi, Kalari, Dajan (Bardhi 88), Batha, Trashi, Mazrekaj (Raçiç 76′), Morini (Roça 61′), Sukaj. Trajner: Sulejman Starova
KARTONË TË VERDHË: Basriu 56′, Hoxhaj 69, Shoshi 70′ / Krasniqi 40′, Daja 54′
KARTON I KUQ: Peposhi 90+1′
DELEGAT: Bujar Pregja (Tiranë);
VËZHGUES: Pajtim Aliko (Vlorë)
GJYQTARET A. Koçi, E. Velo, E. Halo (Durrës)

Partizani i trajnerit Sulejman Starova ka treguar në këto shtatë javë kampionat se është i varur nga paraqitja dhe fati që përndjek Xhevahir Sukajn. Edhe kur nuk është në ditën e tij më të mirë, shkodrani është vendimtar, ashtu siç ndodhi dje në transfertën e Ballshit, ku në minutën e 90-të u jep kryeqytetasve një trepikësh me aromë kryesimi. Partizani ka fituar 2-1 në transfertën e stadiumit “Adush Muça”, një fitore e vështirë dhe e arritur me përmbysje.

Partizani nuk dallohet për ndonjë lojë të bukur, por ajo që ka rëndësi, është se janë treguar rezultativë, ku në 7 javë kampionat kanë arritur 6 fitore dhe 1 barazim dhe së bashku me Skënderbeun kryesojnë Superioren në kuotën e 19 pikëve. Sulmuesi shkodran i të kuqve, ndonëse nuk është ende në formën e tij më të mirë, mbetet njeriu i momentit, me nga një gol vendimtar në çdo javë. Pas largimit të Agim Canajt, drejtimin e Bylisit e ka marrë Mauro De Vekis, por Sukaj me golin e shënuar në minutën e 90-të ia ka zbehur debutimin trajnerit italian. Ashtu si dhe në disa ndeshje të tjera, edhe ndaj Bylisit fitorja e “demave” ka ardhur me përmbysje. Takimi ishte i një niveli jo të lartë, ku faktor ndikues u bë edhe terreni jo i përshtatshëm i stadiumit “Adush Muça”, ku reshjet e shiut bënë që loja të përqendrohej kryesisht me topa të gjatë. Gjithsesi, në fund ka triumfuar Partizani dhe përballja e radhës me Skënderbeun vjen në pozita të barabarta dhe me qetësinë e duhur për të besuarit e trajnerit Sulejman Starova.

Pjesa e parë

Takimi nis me një gjuajtje të Mazrekajt nga distanca, por ndalet nga ish-portieri i Prishtinës, që mbron portën e Bylisit, Mushica. Pas këtij momenti, ballshiotët shikojnë përpara dhe në minutën e shtatë shënojnë golin e parë. Pas topit të ardhur nga këndi, Partizani është ndëshkuar nga një “ish”, Ardit Peposhi, i cili, në fillim në shenjë respekti, nuk e festoi golin. Të duket disi e habitshme që mbrojtja e Partizanit vijon të përsërisë gabimet në goditjet standarde, ndonëse bëhet fjalë për një mbrojtje shtatlartë. Por fati përndjek më të mirin dhe Partizani pas dy minutash arrin të barazojë rezultatin me Idriz Bathën. Mushiça e grushtoi topin e goditur nga Sukaj, por “sfera” përfundon te mesfushori që me siguri e dërgon në rrjetë. Pas këtij goli, sikur vendoset një qetësi në fushë dhe vetëm pas minutës së 22-të ekipet mendojnë të marrin rrugën drejt portave respektive. Rreziqet kryesore vijnë nga goditjet standarde dhe gjuajtjet nga distanca. Pjesa e parë mbyllet në barazim 1-1.

Pjesa e dytë

Trajneri De Vekis e nis fraksionin e dytë me dy ndryshime në formacion, ku Haliti dhe Pepa i lënë vendit Shoshit dhe Papës. Niveli i lojës në pjesën e dytë është më i ulët, kjo edhe për faktin se terreni u rëndua nga reshjet. Ashtu si në pjesën e parë, edhe në të dytën skuadrat rrezikojnë me gjuajtje nga distanca, apo goditje standarde. Me hyrjen në fushë të kolumbianit Roça dhe të serbit Raçiç, Partizani e zhvendos lojën më përpara, por goli do të vijë në minutën e 90-të, me të zakonshmin Xhevahir Sukaj. Goditje dënimi për Partizanin. Kalari kroson drejt zonës, topi mes rrëmujës shkon te Roça që gjuan lehtë në drejtim të portës, por Sukaj, i ndodhur në vendin e duhur, e shtyn topin në rrjetë dhe 1-2 për Partizanin. Vendësit protestojnë për një ndërhyrje të parregullt dhe për shkak protestash Peposhi ndëshkohet me karton të kuq. Kështu që në Ballsh gjithçka mbyllet me fitoren 2-1 të Partizanit, që pas 7 javësh e shikon veten në krye të renditjes së bashku me korçarët, rivali i javës që vjen.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"