“Demat” në horizont, Shehi ul euforinë te Skënderbeu: Ndaj Partizanit nisim mbrojtjen e titullit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 14, 2018 | 18:52

“Demat” në horizont, Shehi ul euforinë te Skënderbeu: Ndaj Partizanit nisim mbrojtjen e titullit

Skënderbeu e nisi me sukses rrugëtimin e vet në lidhje me sezonin e ri dhe normalisht që diçka e tillë solli entuziazëm në kampin bardhekuq. Të pafundme ishin postimet e lojtarëve dhe stafit të Skënderbeut për fitoren e arritur në këtë takim përballë Laçit, fitore që solli edhe Superkupën në Korçë. Dukshëm, fitimi i këtij trofeu elektrizoi të gjithë opinionin sportiv në juglindje, ku pa dyshim lojtarët ishin ata që e festonin më shumë. Por ndeshja e parë zyrtare për Kategorinë Superiore është te dera dhe nuk ka shumë kohë për të humbur me festa. Pavarësisht suksesit ndaj Laçit, korçarët që dje kanë nisur të fokusohen për takimin kundër Partizanit, i cili do të luhet më datën 17 gusht në Korçë.

shehi

Për të sjellë qetësi dhe përqendrim në kampin e kampionëve ka menduar trajneri i Skënderbeut Orges Shehi, i cili menjëherë një ditë pas suksesit është kthyer me këmbë në tokë dhe ka menduar që një gjë të tillë ta përcjellë edhe te lojtarët e vet. Sigurisht që për këtë Shehi e di fort mirë se ka edhe mbështetjen tek eksperienca e futbollistëve të tjerë që kanë arritur shumë suksese me Skënderbeun. Gjithçka ka nisur me një mbledhje të shkurtër, ku Shehi u ka komunikuar të tijve se trofeu i fituar në këtë start sezoni është një hap i madh para, por duhet që ai ritëm dhe shpirt gare i treguar sidomos pas disavantazhit të mbahet edhe në javët e ardhshme të kampionatit.

Për këtë, timonieri i kampionëve ka kërkuar nga të tijtë që festa të marrë fund dhe menjëherë ekipi të mendojë për sezonin e ri. “Superkupa është një trofe që na jep besim dhe na bën të jemi ende të suksesshëm dhe kompetitivë. Sigurisht që diçka të tillë ne e prisnim, pasi ky ekip ka kualitete dhe është i ndërtuar vetëm për të fituar. Me këtë fitore të arritur, e ndjeva se edhe ju e përjetuat mirë dhe e kishit të domosdoshme. Por, tashmë duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës ndaj Partizanit në Korçë. Unë e shoh në fytyrat tuaja se jeni gati dhe normalisht që shumë prej jush e dinë se në këtë klub asnjëherë nuk ka të ngopur.

Këtu e kam fjalën për ata që kanë fituar shumë me Skënderbeun, por edhe për të rinjtë që janë të etur për suksese. Prandaj, le ta nisim nga sot përgatitjen e ndeshjes së parë të kampionatit dhe ta fillojmë mbrojtjen e titullit me këmbën e duhur dhe në mënyrën më të mirë të mundshme. Ju e dini që ne nisemi me objektivin titull dhe përpara na pret një rrugë e gjatë, por vetëm duke qenë të bashkuar dhe të përqendruar do t’ia dalim”, deklaroi mes të tjerash trajneri Orges Shehi para lojtarëve. Kjo ka qenë edhe mbledhja e parë e kësaj jave, ndërsa në vigjilje të takimit ndaj Partizanit, Skënderbeu pritet që të bëjë edhe disa analiza të tjera me trajnerin në lidhje me interpretimin e lojës dhe porosive.

Llazi Saro

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"