Delegati ndërpret ndeshjen prej banderolave, Halili ikën i pari. Ja pikantet e sfidës Tirana-Bylis

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Tetor 24, 2019 | 19:10

Bylis Kategoria Superiore Të fundit Tirana

Delegati ndërpret ndeshjen prej banderolave, Halili ikën i pari. Ja pikantet e sfidës Tirana-Bylis

– Pas një periudhe të gjatë rikthehet në Ballsh në detyrën e delegatit Besnik Çela, i cili disa vite më parë u përplas me presidentin e Bylisit Besnik Kapllanaj. Ky fundit dhunoi fizikisht Çelën më pas u ndëshkua me pezullim përjetë nga ana e Disiplinës. Megjithëse kanë “kontaktuar” vizualisht me njëri-tjetrin para, gjatë dhe pas ndeshjes, Kapllanaj dhe Çela nuk i kanë folur njëri-tjetrit.

Bylis Tirana

– Vetëm kur ka nisur minuta e 21-të, në stadium ka mbërritur presidenti i Tiranës, Refik Halili dhe është larguar në minutën e 75-të nga stadiumi.

– Delegati i takimit Besnik Çela ka ndalur në një moment lojën. Tifozët e Tiranës kane hapur banderola, por nuk janë lejuar nga drejtuesit e ndeshjes. Kanë ndërhyrë zyrtaret e klubit dhe forcat e sigurisë dhe i kanë hequr. Tifozët të njëjtën gjë e kanë bërë edhe në pjesën e dytë, por sërish nuk janë lejuar.

– Në pushim të ndeshjes, si zakonisht sipas mikpritjes mallakastriote, dy presidentët Kapllanaj dhe Halili kanë pirë kafe së bashku, nën shoqërinë e të cilëve ka qenë edhe ish-kryebashkiaku i Ballshit, që është edhe vëllai i presidentit aktual të Bylisit. – Për arsye të mungesës së internetit në qytetin e Ballshit protokolli i ndeshjes ka dalë me vonesë, çka ka acaruar delegatin Besnik Çela që ka vënë në punë administratorin e klubit vendës së bashku me përfaqësuesin e Tiranës, Mario Nikolli që të punonin me shpejtësi për t’ua mundësuar gazetarëve të shtypit të shkruar dhe atij viziv.

Bylis-Tirana

“Po ç’janë këto vonesa”, iu drejtua Çela administratorit të klubit. “E dimë që s’ka internet, por duheshin marrë masat më parë. Po s’keni faj ju. Fajin e kanë këta (media) që s’ju bëjnë copash…”. Masat e marra në këtë takim, duhet thënë se kanë qenë njësoj si të një ndeshjeje ndërkombëtare. Edhe kamerat e vëzhgimit kanë dalë jashtë funksionit, por ndërhyrja në kohë e specialistëve të thirrur me urgjencë nga klubi ballshiot, ka bërë që gjithçka të funksiononte sërish në një kohë rekord.

– Vetëm pas minutës së 19-të u është mundësuar hyrja të gjithë tifozëve në stadium pas një kontrolli të rreptë nga ana e forcave të rendit. Tifozët bardheblu kanë nisur që të mbështesin me këngë skuadrën e tyre të zemrës. Në një moment, pasi Bylisi ka shënuar golin e dytë, disa tifozë kanë nisur të kërkojnë edhe dorëheqjen e teknikut Mema.

– Përpara takimit, presidenti Besnik Kapllanaj, duke qenë nën shoqërinë e teknikut Dovedan, i ka thërritur ish-portierit dhe trajnerit të Bylisit, por edhe mikut të tij Emanuel Egbos, duke u drejtuar me fjalët: “O Egbo, po hajde pak këtu mor burrë, që të prezantoj me trajnerin tonë”. Egbo është afruar dhe është takuar miqësisht me Dovedanin.

– Një numër i paktë tifozësh në stadiumin “Adush Muça”, madje si vendës, ashtu edhe nga Tirana. Rreth 30 tifozë miq kanë qenë në tribunën “Vip” dhe atë kryesore ndërsa “Fanatics” kanë qëndruar në tribunën anësore dhe kanë filluar që të mbështesin skuadrën e tyre të zemrës vetëm në minutën e 30-të. Tribuna qendrore ka qenë e mbushur, ndërsa ajo ballore vetëm në pjesën e dytë ka pasur afro 800 vetë.

Tirana Xhafa-Jani

– Një rikonstruksion që përfshin jo vetëm rigjenerimin e barit të stadiumit, por edhe lyerjen e tërë ambienteve në stadiumin “Adush Muça” të qytetit të Ballshit. Madje, ashtu si në çdo sfidë nuk ka munguar edhe fonia me “Dj”, duke i dhënë edhe ngjyra festive sfidës së luajtur në Ballsh.

-Pas ndeshjes lojtarët që kanë qëndruar në stol, ata që janë futur si zëvendësues dhe të tjerët, që nuk janë aktivizuar fare kanë kryer stërvitje në stadium.

-Marjo Barjamaj ka luajtur sfidën e parë si titullar për këtë sezon. 20-vjeçari ka luajtur si zëvendësues në takimet e tjera, ndërsa në sezonin e shkuar ka qenë nga më të mirët te Bylisi, duke spikatur edhe me golat e shënuar.

– Hidi, Goxhaj, Peposhi, Bicaj kanë qenë pjesë e Tiranës në periudhë të ndryshme në dy dekadat e fundit. Ndërsa nga Tirana është Tefik Osmani që ka veshur fanellën e Bylisit në sezonin 2003-2004 për një fazë.

– Në momente të caktuara dukeshin shenja nervozizmi te lojtarët e Tiranës, sidomos te Hasani e Kale.

– Protesta të ballshiotëve, të cilët kanë kërkuar faull në momentin që Ntepe ishte në hyrje të zonës së Tiranës nga aksioni prej të cilit erdhi edhe goli i bardhebluve.

– Vetëm në 20 minutat e fundit janë ndjerë tifozët vendës që kanë mbështetur skuadrën, por edhe kanë duartrokitur gjatë në fund të sfidës për këtë sukses.

– Dovedan proteston te gjyqtari i katërt për shkak të pesë minutave shtesë të dhëna nga gjyqtari i takimit.

– Pas ndeshjes, lojtarët dhe stafi i Tiranës janë futur në dhomat e zhveshjes madje deri në autobusin e tyre nuk kanë shkëmbyer asnjë fjalë, qoftë edhe me njëri-tjetrin, por janë larguar kokulur.

PANORAMASPORT.AL




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com