Delarzh frymëzon Egnatian, por kartonët kthehen në problem për rrogozhinasit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 7, 2022 | 19:19

Delarzh frymëzon Egnatian, por kartonët kthehen në problem për rrogozhinasit

Stërvitja e parë e javës anti-Vllaznia, që nisi dje për Egnatian, është shoqëruar me shumë entuziazëm, teksa u ndoq nga një grup tifozësh më i madh se zakonisht. Rikthimi te goli i sulmuesit kongolez, Dzon Delarzh, që i dha fitoren në Laç, ka ngrohur së tepërmi situatën në kampin rrogozhinas.

delarzh egnatia

Tifozët shikojnë te Delarzh njeriun që do t’i udhëheqë drejt triumfeve të radhës. Sulmuesi ka kapur formën optimale dhe pritet të jetë titullar edhe ndaj Vllaznisë. Ai premton tashmë të bëhet “mbreti” i golave në skuadrën rrogozhinase, duke e ndihmuar në ecurinë e rezultateve pozitive. Në Laç u tregua i papërmbajtshëm në startet me dhe pa top, prandaj dhe për trajnerin Tetova shihet si një prej elementëve ku do të bazohet në sulm.

Ndërkohë, dje është rikthyer pas seancave riaftësuese prej dëmtimit që pësoi javë më parë, mesfushori fierak, Skerdilajd Levendi. Nga ana tjetër, sulmuesi vlonjat Gersi Diamanti, i cili mbylli merkaton e Egnatias, nuk është ende gati për të debutuar. Ai ka nisur një regjim stërvitor veçmas grupit. Atmosfera pas fitores së parë duket shumë e mirë, ndërsa klubi pret një tjetër trepikësh ndaj Vllaznisë.

KARTONAT – Në tri javët e para, pas Kastriotit me 10 kartonë të verdhë, Egnatia është skuadra e dytë më e ndëshkuar në kampionat, me 9 kartonë të verdhë. Madje lojtari i parë, mesfushori nigerian, Ojediran Hamzat, është në rrezik skualifikimi, pasi në tri javët e para është ndëshkuar me nga një karton të verdhë.

Nga trajneri Tetova, dje futbollisti është thirrur veçmas pak çaste para se të niste stërvitjen, për t’i kërkuar të jetë më i kujdesshëm në vazhdimësi, pasi kështu penalizon jo vetëm veten, por edhe ekipin. Lojtarët e tjerë të Egnatias që kanë marrë të verdha, por që nuk rrezikojnë janë Abdurraman Fangaj (2 të verdha) dhe nga një karton të verdhë kanë 4 futbollistë, konkretisht Emiljano Musta, Sadiq Atanta, Xhekson Kenio dhe Arbin Zejnullai.

FATMIR EFICA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"