Delarxh, Camaj dhe Bambam, Egnatia garanton… golat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 30, 2022 | 23:23

Delarxh, Camaj dhe Bambam, Egnatia garanton… golat

U prit mirë fitorja e pastër dhe e thellë e Egnatias ndaj fqinjëve të Shkumbinit të mërkurën në transfertë. Edhe pse u përdor një formacion “miks”, duke lënë një pjesë të titullarëve pa aktivizuar në një takim relativisht të lehtë, siç qe parashikuar, e në fakt ashtu doli në të vërtetë kjo sfidë përballë peqinasve, që aktualisht janë dy kategori më poshtë se Egnatia.

egnatia bambam

Përtej këtij realiteti, tashmë nuk ka vend për t’u marrë me këtë rezultat. Sepse kërkohet vlerësim maksimal për sfidën e radhës në kampionat ndaj Kastriotit. Të shtunën, rrogozhinasit e kanë të qartë se vlejnë pikët, sepse kampionati është një garë më e fortë dhe këtu kërkohet të bëhen mirë llogaritë, të cilat madje kërkohet të jenë pa asnjë “firo”.

SULMI – Krahas formës së mirë që po kalonin në pesë javët e para të kampionatit, sulmuesit Dzon Delarzh dhe Ilir Camaj, tani një tjetër lojtar me karakteristika të mirëfillta qendërsulmuesi është Bezarre do Santos Klaudivan. 28-vjeçari me formën që paraqiti në ndeshjen e Kupës ndaj Shkumbinit, ku shënoi dy prej tre golave që pati fitorja e fundit, është një tjetër alternativë e mirë për të pasur më shumë agresivitet në repartin ofensiv. Duke qenë shtatlartë, Klaudivan me përvojën e tij mund ta ndihmojë skuadrën edhe në goditje standarde, apo ato këndore. Ndeshja mund të fitohet kur je kërkues e këmbëngulës edhe në shfrytëzimin e episodeve.

I thirrur me epitetin “Bammbam” Klaudivan edhe gjatë stërvitjeve apo në ndeshjen, në të cilat i luajti të plota 90 minutat, ku u pa se e shkarkoi barrën e emocioneve, tani po mendohet seriozisht se ky futbollist që është aktivizuar vetëm në 84 minuta në 3 takime nga 5 që janë luajtur deri tani në kampionat, shërben megjithatë si një “ndërlidhës” i mirë mes dyshes së konfirmuar Delarzh-Camaj. Ky i fundit shënoi në Peqin një prej tre golave të fitores në Kupë. Sulmi duket më se i blinduar dhe takimi i së shtunës me Kastriotin është dhe një test tjetër konkret për potencialin e futbollistëve të këtij reparti. Efektiviteti i tyre, sikurse dhe i lojtarëve të tjerë, kërkohet të jetë maksimal.

PËRBALLJET – Gjithçka e barabartë në fitore (secila skuadër nga 2) dhe në gola ku ka baraspeshë të plotë, 5:5. Janë katër përballjet e sezonit të kaluar në elitë, pasi në 2004-’05 Kastrioti nuk ka marrë pjesë kur Egnatia kryente debutimin e saj të parë, që tregojnë se historia momentale ka treguar se të dyja ekipet në sfidat direkte kanë treguar karakter për fitoret shtëpiake ndaj njëra-tjetrës. Edhe sezonin e shkuar Egnatia me Kastriotin janë ndeshur në fillim të muajit tetor

. Saktësisht në datën 2.10.2021 Egnatia fitoi 2-1, duke i bërë një përmbysje spektakolare avantazhit fillestar të krutanëve (shënoi S.Ajazi 59′). Dygolëshi i Pedro Kabral në 24′(11 m) dhe 92-ën minutë sollën fitoren me përmbysje të rrogozhinasve. Kjo kishte ndodhur në javën e 4-t në “Arena Egnatia”. Kur Kastrioti në fazën e tretë kreu vizitën e dytë në Rrogozhinë sërish janë lojtarët e Egnatias që triumfojnë më të njëjtin përfundim, 2-1. Në këtë takim shënoi e para Egnatia me G.Krasniqin në të 58′ (11-m), barazoi Kastrioti me N.Kaina në të 75′ po nga pika e bardhë dhe një minutë para limitit të kohës së rregullt Egnatia sërish përmbysi shifrat dhe rrëmbeu fitoren e pikët maksimale.

Duke parë përballjet pritet që edhe të shtunën Egnatia, siç thuhet ndryshe të ketë një “e treta e vërteta”, duke fituar ndeshjen dhe pikët që janë aq të vlefshme dhe të rëndësishme.

FATMIR EFICA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"