“Del Piero ka qenë idhulli im”, rrëfehet Rroca: Ja si Kukësi shpallet kampion

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 13, 2020 | 16:40

“Del Piero ka qenë idhulli im”, rrëfehet Rroca: Ja si Kukësi shpallet kampion

Eduart Rroca u afrua te Kukësi në janarin e vitit të shkuar dhe në përgjithësi ai ka bërë paraqitje mbresëlënëse te verilindorët. Përveç golave të shënuar (4 në 16 ndeshje në këtë gjysmë sezoni) forma e tij ka ardhur në rritje. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, Rroca flet për ekipin, objektivat e tij, fazën përgatitore, rivalët dhe dëshirat. 

eduart rroca

Sipas tij, Kukësi është kandidati kryesor për fitimin e titullit kampion, ndërsa tregon rrugën se si shkohet atje. Fitore në ndeshjen e radhës dhe mospasje dëmtimesh janë dy elementë shumë të rëndësishëm. Rivalë? Sipas tij, akoma nuk ka rival të shfaqur direkt, pasi ekipet janë shumë të ngjeshura. Ndërsa Rroca ka edhe një idhull, i cili është kampioni i botës me Italinë, Aleksando Del Piero.

Si e shikon Rroca Kukësin në këtë moment dhe çfarë pret nga pjesa e dytë e sezonit? 

Që prej datës 4 janar ndodhemi në Antalia për të bërë minifazën përgatitore. Prej një jave kemi bërë stërvitje mjaft të mira dhe intensive, të cilat na kanë shërbyer. Stafi e ka përgatitur mjaft mirë dhe pas disa ditësh kthehemi në Tiranë. Kukësin e shoh një ekip të fortë, të kompletuar dhe besoj se do ta fillojmë pjesën e dytë të sezonit atje ku e lamë të parin. Vetëm shpresoj të mos kemi dëmtime dhe mungesa nga ana e lojtarëve dhe ekipi të jetë i plotë. Pastaj, besoj shumë se do vijojmë atje ku e lamë.

Sa shanse ka që të shpalleni kampionë?

Shanset janë shumë të mëdha që të shpallemi kampionë, pasi jemi edhe në vendin e parë dhe me këtë ritëm duhet të vazhdojmë. Nuk duhet të mendojmë për rivalët apo të tjerët, por duhet të shohim vetëm ndeshjen e radhës, sepse çdo takim vlen tri pikët dhe ne nuk duhet të nënvlerësojmë asnjë. Duhet të marrim maksimumin në çdo ndeshje dhe të mos bëjmë gabime. Nëse i bëjmë këto, do të shpallemi kampionë.

Cilin ekip shikoni si rivalin më të fortë në luftën për titull?

Në fakt, ky kampionat ka qenë paksa i çuditshëm sa i përket renditjes. Ka pasur shumë surpriza, kryesisht nga ato ekipe që nuk priteshin dhe kanë ecur shumë mirë, siç është rasti i Bylisit. Ekipet janë të gjitha aty-aty dhe akoma nuk mund ta përcaktojmë se cili është rivali direkt i Kukësit për titullin. Kjo mbetet për t’u parë. Nëse ne do të vazhdojmë me ritme të larta, kam shumë besim se kemi shanse reale për t’u shpallur kampionë.

Në rolin tuaj, cili lojtar ju frymëzon dhe gjithnjë e keni pasur idhull?

Pa dyshim Del Piero ka qenë idhulli im, një lojtar i jashtëzakonshëm që të kënaqte kur e shikoje tek luante. Ishte madhështor, me lojën dhe fantazinë e tij bënte gjëra të jashtëzakonshme në fushë, një futbollist shumë i bukur për t’u parë në lojë. Prej tij jam bërë tifoz edhe me Juventusin.

eduart rroca

 Si po shkon faza përgatitore?

Faza përgatitore po shkon shumë mirë, nga kur kemi ardhur këtu po punojmë me nga dy seanca stërvitore në ditë gjë që po na bën mjaft mirë. Falë Zotit nuk kemi pasur dëmtime. Është një plan pune i mirëmenduar nga drejtuesit, i cili ka rezultuar mjaft efikas për ne. Kushtet janë shumë të mira dhe çdo gjë po shkon shkëlqyeshëm. Shpresojmë të vazhdojmë kështu.

Sa do ju vlejnë miqësoret në këtë fazë? 

Të premten zhvilluam një ndeshje miqësore me Malatjaspor dhe ekipi u paraqit mjaft mirë, jo vetëm për rezultatin, por dhe për paraqitjen në fushën e lojës. Treguam personalitet. Pavarësisht ngarkesës që kemi pasur, bëmë një paraqitje dinjitoze çka u kurorëzua dhe me një rezultat pozitiv kundër një ekipi të fortë si Malatjaspor. Kemi dhe një miqësore të fundit më 15 janar kundër Politeknika Lasit të Rumanisë. Shpresoj që të paraqitemi mirë, të marrim dhe rezultat pozitiv për moral. E rëndësishme për ne është paraqitja në fushë, forma, ana tekniko-taktike e më pas rezultati, i cili do na duhet për aspektin moral. Në kaq kohë sa ne po qëndrojnë në Turqi, janë mjaftueshëm dy teste, të cilat do na ndihmojnë shumë për rinisjen e kampionatit.

 Ka nevojë Kukësi për ndërhyrje në merkato, apo ndiheni të kompletuar?

Këtë gjë mund ta shprehë stafi teknik dhe pjesa drejtuese e klubit. Personalisht e shikoj ekipin të plotë, mjaft të motivuar në stërvitje dhe ka konkurrencë brenda grupit. Me largimin e Dakut, për të cilin unë mund të them se jemi dobësuar, për mua personalisht do ishte më mirë që të vinte një lojtar në rolin e tij. Gjithsesi, këtë gjë e di stafi drejtues dhe janë ata që i marrin më mirë vendimet.

SKERDILAID SULOZEQI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"